Si rrallë herë më parë, një 42 vjeçar nga Kosova, i dënuar rëndë për shpejtësi tej normave në magjistralet zvicerane, e ka dërguar çështjen deri te Gjykata e Lartë e Cyrihut (Instanca e Dytë), për të kundërshtuar vendimin “politik” të gjykatësit rajonal, shkruan nzz.ch.
Më shumë se 140 km/h në kthesë
Në tetor 2015, një shqiptaro-zviceran ishte duke nxituar në drejtim të Bülach me veturën e tij Nissan GT-R. Ai voziste me 140km/h në një kthesë ku lejohej vetëm 80km/h, ku papritur në drejtim të tij vinte një Golf. Në momentin e goditjes Nissani e godet me shpejtësi 105 km/h veturën Golf, ku shoferja 64 vjeçare pësoi lëndime në dorë, përcjell foldrejt.com.
64 vjeçarja zvicerane theksoi se ajo kishte shkuar majtas, pasi nuk kishte vëzhguer ndonjë veturë para dhe pretendon se shqiptari ka vozitur shumë më tepër sesa norma e lejuar.
Si pasojë, shqiptaro-zvicerani në maj 2019 mori dënimin e lartë me 18 muaj burg dhe 3 vjet periudhë vëzhgimi. Prokuroria kishte kërkuar 20 muaj burg.
Edhepse shqiptari pretendon se nuk kishte vozitur tej normave të lejuara dhe përkundër që fajësoi plakën zvicerane që kishte dalë në rrugën e tij, Gjykatësit nuk u bindën, duke e dënuar rëndë. Gjykatësit rajonalë theksuan se vozitija e tij e shpejtë ishte vërtetuar edhe nga kompjuterët. Bile shqiptari theksoi se i kishte dhënë më shumë gaz veturës gjatë kthesës, “me idenë që t’i shmangej aksidentit”.
Gjykatës racist?
I vetmi ngushëllim i shqiptarit ishte ankesa në Gjykatën e Cyrihut, pasi shtoi se në Gjykatën Rajonale ai ishte dënuar nga një gjykatës racist dhe pjesëtar i partisë populliste SVP.
Megjithatë edhe Gjykata e Cyrihut vendosi në favor të kolegëve të tyre dhe 42 vjeçari nuk ka kusht tjetër, por vetëm ti bindet drejtësisë – qoftë edhe kjo “selektive”.
Në fund ai bëri një krahasim, ku një grua e alkoolizuar aksidentoi për vdekje një burrë në Tessin të Zvicrës. Megjithatë ajo u dënua 18 muaj burg. Po aq, sa 42 vjeçari që shkaktoi aksident vetëm me lëndime të lehta trupore.
“Nuk e di nëse një banor i Tessinit ka më pak vlera sesa një i Cyrihut”, ose është një dënim selektiv mes shqiptarëve dhe zviceranëve./Foldrejt.com