Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka kritikuar qeverinë Kurti lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19. Ai tha se afati se kur qytetarët duhet të marrin dozën e dytë të vaksinës Astra Zeneca është 8 qershori, teksa sipas Zemaj ende nuk ka konfirmim nëse në Kosovë do të arrijnë dozat e dyta të kësaj vaksine.
“Kjo qeveri ka gënjyer qytetarët e Kosovës duke thënë se prioriteti i saj është gjendja politike ashtu siç po del të jetë mashtrim çdo kauzë. Doli para qytetarëve, mori vota dhe ndryshoi qëndrim menjëherë pas marrjes së pushtetit. I kujtojmë qeverisë se 8 qershori është afati për marrjen e dozës së dytë të vaksinës, po nga i njëjti prodhues Astra Zeneca e vaksina të kësaj kompanie nuk ka”, ka thënë ai.
Madje ai deklaroi se nëse vazhdohet me këtë ritëm të vaksinimit, ky proces në Kosovë mund të mos kryhet deri në tri vjet kohëzgjatje.
“Për fat të keq qytetarët janë të painformuar nga ata që u zotuan për transparencë, u zotuan për vaksinim të qytetarëve mbi 60% të popullsisë. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, Kosovës do t’i duhen më shumë se tri vjet për ta përmbyllur procesin e vaksinimit të popullsisë. Në ndërkohë virusi po vazhdon që të infektojë qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.