Buxheti i Kosovës prej 2.4 miliardë eurove paraqet vështirësi në realizimin e zotimeve të Lëvizjes Vetëvendosje në aspektin ekonomik dhe social, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, pasi kjo parti ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit.
Megjithatë, sipas Zekës, nëse shteti arrin të luftojë ekonominë joformale, e cila llogaritet të jetë deri 30 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto në Kosovë, atëherë arka e shtetit do të rritet dhe do të mundësohet realizmi i atyre zotimeve.
Buxheti i Kosovës për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove dhe përgjatë viteve nuk ka pasur buxhet më të madh se ky, i cili është në këtë vit.
Në këtë fuqizim, LVV ka premtuar se do ta financojë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro.
LVV ka paraparë po ashtu rritje të skemave sociale. Aktualisht, baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet nga skema të shumta sociale e pensionale. Në këto kategori hyjnë mbi 420 mijë qytetarëve të Kosovës dhe nga buxheti i shtetit çdo vit ndahen deri në 400 milionë euro.
LVV ka planifikuar që pagën minimale ta rrisë në 250 euro dhe se kjo pagë të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale.