Zbulohet shtatorja e atdhetarit, Shejh Mihedin Shehu

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore dhe në zbulimin e shtatores së atdhetarit, Shejh Mihedin Shehu, në 21 vjetorin e rënies së tij, organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.

Fillimisht Haradinaj ka bërë homazhe të pllaka përkujtimore e Shejh Mihedin Shehut, në hyrje të Teqesë së Madhe.

Haradinaj, tha se një ngjarje si kjo i bën krenarë popujt, sepse sot janë  në vendin ku 21 vjet më parë ra heroikisht një udhëheqës fetar e shpirtëror dhe përveç petkut fetar e shpirtëror, në vete kishte brumin e atdhetarit të shquar shqiptarë, të rilindësit, por edhe të atyre që nuk u ndalën në kohë.

Haradinaj, kujtoi periudhën e pas vitit 1945, kur shumë atdhetarë, luftëtarë të zot e gjetën vetën në periudha të vështira se si të vazhdohet më tutje në shërbim të atdheut dhe të kombit.

“Janë vetëm pak njerëz të kombit tonë që nuk u ndalën, është një brez i vogël i tyre dhe nuk është rastësi që në këta njerëz e gjejmë Shejh Mihedinin, i gjejmë shehlerët tjerë, ata që u dënuan në grup. Kjo për shkak se vetëdija e ngritur, devotshmëria, besimi i bëri që të mos dorëzohen, të mos bëjnë kompromis”, tha Haradinaj.

Më tej, Haradinaj tha se Shejh Mihedini është pjesë e atdhetarëve, e luftëtarëve, dijetarëve, që historianët do të kenë punë me të, për shkak se kur vlerësojnë pozicionimin, angazhimin e tij të asaj kohe dhe rrugën e tij nëpër këto etapa, secila etapë në vete do të jetë kapitull i  rëndësishëm i angazhimit për popull, për liri, për atdhe, për të qenë i liri në besim, në identitet.

Haradinaj tha se nuk është rastësi se pse Shejh Mihedini nuk e përfilli urdhrin e forcave serbe, të regjimit të Millosheviçit, që të vihet në anën e tyre për t’i bind popullin që të mos rezistojë, për ta larguar popullin nga UÇK, për ta bind UÇK-në që t’i ndalë operacionet e tyre luftarake, detyrat e tyre për liri, pra ai nuk e pranoj një rol të tillë, ai mbeti në rolin e vet që kishte, besnik ndaj besimtarëve të vet, besnik ndaj popullit, ndaj atyre që ishte dhe ndau fatin me ta në Teqenë e Madhe në Rahovec.

Haradinaj, me këtë rast pasuesit të Teqesë, Shejh Besimit, i ka ndarë medaljen  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se Shejh Mihedin Shehu do të kujtohet gjithmonë si udhëheqës shpirtëror e fetar, si patriot dhe hero i Kosovës.

“Shejh Mihedin Shehu vjen nga një familje e cila përfaqëson me dinjitet vlerat e larta shpirtërore dhe atdhetare, familje e cila ndër vite dhe në periudha të ndryshme ka dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare deri në lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptarë të Kosovës”, tha kryetari Ismajli.

Në këtë akademi të organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetarë të komunave dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.