Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi nesër do të vizitojë Maqedoninë e Veriut me rastin e dorëzimit të vaksinave të para kundër COVID-19, të ndara dhe të financuara nga Bashkimi Europian. Komisioneri Várhelyi do të arrijë pasdite dhe së pari do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev. Më pas do të vizitojë qendrën e vaksinimit në Arenën Boris Trajkovski së bashku me kryeministrin Zaev dhe ministren austriake për BE, Karoline Edtstadler. Komisioni Europian dhe Austria më 20 Prill vendosën që 651,000 doza të vaksinave të BioNTech / Pfizer  të dërgohen në rajon në dërgesa javore nga fillimi i muajit maj deri në muajin gusht. Nga këto, 119,123 vaksina do të dorëzohen në Maqedoninë e Veriut. Para nisjes së turit Ballkanik Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Olivér Várhelyi tha: “Jam duke udhëtuar në Ballkanin Perëndimor për të dhënë një mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punonjësit e tyre të kujdesit shëndetësor dhe për grupmoshat më të prekshme. Dorëzimi i vaksinave konfirmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të siguruar mbështetje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Më të fortë së bashku! ”

Vaksinat financohen nga paketa prej 70 milion eurosh e miratuar nga Komisioni në dhjetor të vitit 2020.  Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave të financuara nga BE-ja përmes marrëveshjeve juridike me prodhuesin dhe secilin partner të Ballkanit Perëndimor. /SHENJA/