Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar liderin e saj Albin Kurti, për mandatar për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Këtë vendim Vetëvendosje ia ka dërguar përmes një letre presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Letra e Lëvizjes Vetëvendosje dërguar presidentit Hashim Thaçi.
Letra e Lëvizjes Vetëvendosje dërguar presidentit Hashim Thaçi.

I nominuari nga Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi tha se ende nuk ka një marrëveshje për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë asnjëra palë nuk ka pranuar ofertat e fundit për bashkëqeverisje.

Megjithatë, Kurti tha se Vetëvendosje dëshiron që të takohet me LDK-në deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së, por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme, me synim gjetjen e alternativave tjera që do të ishin të pranueshme për të dyja palët. Unë besoj se ne nuk mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, tha Kurti.

Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti Thaçi mandaton Kurtin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.

Mbetet i paqartë momenti prej kur do te rrjedh ky afat, marrë parasysh se letra e Vetëvendosjes i është dërguar Thaçit më 20 janar. Ndërkohë që Thaçi, gjatë fundjavës deklaroi se e ka nënshkruar vendimin për mandatimin e Kurtit dhe bëri thirrje që partitë të respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit.

Gjatë javës së kaluar, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë publikuar ofertat e tyre. Të dy partitë, u deklaruan se nuk mund të lëvizin nga ofertat që i kishin prezantuar me shkrim, ndonëse gjithashtu shprehën vullnetin që negociatat të vazhdojnë.

Në ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhej se kjo parti politike duhet të ketë si pjesë të marrëveshjes pozitën e kryetarit të kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit. Pastaj kryetari i kuvendit do t’i kalonte Lëvizjes Vetëvendosje, sipas këtij propozimi. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (Vetëvendosje e ka kryeministrin, LDK-ja kryetarin e kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, Vetëvendosje mban dy pozita të larta shtetërore (kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas Kushtetutës). Gjithashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar që numri i ministrive të mbetet 12 dhe struktura e tyre të mbetet siç janë pajtuar më herët , me disa përjashtime.

I shpejtë ishte edhe reagimi i Vetëvendosjes, e cila me shkrim iu përgjigj LDK-së, duke i bërë thirrje që të heq dorë nga largimi i Glauk Konjufcës nga kreu i Kuvendit, në mënyrë që negociatat për qeverinë të vazhdojnë.

Negociata ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk kanë rifilluar ende dhe mbetet të pritet nëse do të ketë ndonjë nismë për vazhdimin e tyre.