Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka kujtuar vlerat për pajtim dhe unitet të profesorit Anton Çetta, duke thënë se nga vlerat e tij ne gjithmonë do të gjejmë arsyen njerëzore, por edhe frymëzimin patriotik, që të mos përçahemi, të mos hakmerremi, por të falim e të pajtohemi, për një kauzë, për ta bërë shtetin tonë më të fortë, më demokratik e më të zhvilluar.

Postimi i plotë:

Me urtinë e tij prej intelektuali vizionar, me sensin e atdhetarit që hetoi se përçarja ndërmjet shqiptarëve po shfrytëzohej nga Serbia agresive, Anton Çetta do ta marr një detyrë, sa të shenjtë aq edhe pragmatike, t’i pajtojë e bashkojë shqiptarët, para një sfide shumë të rëndë e historike.
Ato që profesori, folkloristi dhe veprimtari Anton Çetta i gjeti dhe i mblodhi me kujdesin e një shkencëtari pasionant, tek rrënjët e traditës më të mirë shqiptare, ato do t’i kthej në formën më të mirë të mundshme, për t’i forcuar e fisnikëruar ata, në prag të përpjekjeve dhe luftës për liri e pavarësi.
Te këto vlera sublime, për pajtim dhe unitet, të cilat profesori i nderuar Çetta na i riktheu si thesar për sfida të reja, ne gjithmonë do të gjejmë arsyen njerëzore, por edhe frymëzimin patriotik, që të mos përçahemi, të mos hakmerremi, por të falim e të pajtohemi, për një kauzë, për ta bërë shtetin tonë më të fortë, më demokratik e më të zhvilluar.
Të gjithë jemi dëshmitarë se sa na duhën këto vlera sot, sidomos sot. Veprimtaria për pajtim e bashkim, e profesorit Çetta, është mbëltuar tashmë si vlerë e ndershme dhe histori krenare, në memorien tonë kolektive.
Këtë porosi për pajtim e bashkim, nuk duhet ta harrojmë asnjëherë, por ta kujtojmë e vëmë në jetë, pandalshëm.
Lavdi veprimtarisë atdhetare dhe punës shkencore të Profesorit Anton Çetta.