Një pikturë e artistit francez, Klod Mone, do të hidhet në ankand më 6 qershor për 1 milion euro.

Vepra u ekspozua të mërkurën në Muzeun e Arteve të Bukura të Turit, ku piktori jetoi dhe punoi.

Piktura me përmasa 60 me 74 cm, e vitit 1882, paraqit qytetin francez të Djepit në stilin impresionist që themeloi Moneja.

“Peizazhi paraqitet më i ngushtë sesa në pikturat e shtrira impresioniste që artisti realizoi gjatë jetës, që njihen për ngjyrat, prekjen, për motivet normane që ai i trajtonte aq bukur, ndaj edhe kjo është një vepër e shkëlqyer,” tha Hélène Jagot, drejtoresha e museumit.

Aymeric Rouillac, koleksionisti që po merret me ankandin, thotë se “Djepi” transmeton ndjenjat dhe emocionet e Monesë, me lëvizje të dukshme të furçës që përçojnë përshtypjet e çastit.

Ai thotë se piktura ka bërë një itinerar të pazakontë që pas vdekjes së artistit në vitin 1926.

“Ka qenë me familjen e Monesë kur ai vdiq dhe kaloi për gjysmë shekulli në Shtetet e Bashkuara. Pastaj e mori një zviceran ndërsa neve na e besoi një artdashës japonez që e kishte pasur prej 20 vitesh,” tha koleksionisti Aymeric Rouillac.

Sipas koleksionistit, është e rrallë t’i shohësh veprat e piktorit të nxirren në ankand në vendlindjen e tij.

“Klod Moneja është piktori më i madh francez, por nga 440 piktura të Monesë që u shitën në botë në 10 vitet e fundit, vetëm 14 ishin në Francë,” shtoi ai.

Edhe pse piktura e Monesë vlerësohet me 1 milion euro, çmimi në ankand pritet të arrijë më lart.

Deri në qershor Muzeu i Turit thotë se do e shfaqë atë për një numër të kufizuar të publikut për shkak të situatës me pandeminë.