Edhe pse 15 qershori u konsiderua datë e rëndësishme pasi nga Ministria e Shëndetësisë u tha se zyrtarisht fillon vaksinimi masiv, një gjë e tillë duket se nuk po zhvillohet në atë mënyrë.
Edhe pse thuhet se po bëhet “vaksinim masiv”, gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar vetëm 965 qytetarë.
Në njoftimin e fundit të bërë nga Ministria e Shëndetësisë poashtu u theksua se numri i përgjithshëm i vaksinimit është 133 mijë e 868 persona.
Nga këta, 17 mijë e 811 qytetarë kanë arritur që të marrin dozën e dytë të vaksinës antiCOVID.
Ndryshe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ditë më parë deklaroi se gjatë këtij muaji, Kosova pritet të furnizohet me dozat e para të vaksinave të dala nga kontrata e nënshkruar me Pfizer.