Ende nuk dihet se kur Kosova do të furnizohet me vaksinat anti-Covid. Zyrtarët shëndetësor në vend, kanë premtuar se këto vaksina do të jenë në Kosovë javën e tretë të muajit shkurt.
Por që një gjë e tillë të ndodhë ka pak gjasa.
Sipas zyrtarëve të MSH-së dozat e para të vaksinës do të dorëzohen përmes UNICEF-it.
E Ministria e Shëndetësisë tashmë ka përgatitur Planin e imunizimit kundër COVID-19 në detaje, përfshirë edhe planin e shpërndarjes, ka trajnuar personelin që merren me vaksinim, ka përforcuar kapacitetet e Zinxhirit të ftohtë të ruajtjes dhe ka ne dispozicion ekipet e vaksinimit dhe logjistiken përcjellëse për krejt këtë proces.
Të parët do të vaksinohen personeli shëndetësor; të moshuarit mbi 80 vjeç, personat e vendosur në shtëpitë e të moshuarve dhe punëtorët socialë si dhe personat me sëmundje kronike.
Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i 100,800 doza të kësaj vaksine.
Vaksina e Oxford/AstraZeneca ka 63.9 për qind efikasitet kundër sëmundjes COVID-19, sipas analizave preliminare, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka rekomanduar që kjo vaksinë të përdoret.
Kjo vaksinë administrohet me dy doza. OBSH-ja thotë se vaksina shfaq më shumë efikasitet kur intervali kohor nga doza e parë te doza e dytë është më i gjatë.
Sa i përket mundësisë që kjo vaksinë të përzihet me vaksina të tjera, pra një person të mund të marrë një dozë të AstraZenecas dhe dozën tjetër të ndonjë vaksine tjetër të zbuluar, OBSH-ja rekomandon që të mos bëhet një gjë e tillë dhe personat të marrin dy dozat e vaksinës nga i njëjti prodhues.