Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se derisa vendi i tij vazhdon me shpejtësi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, do të fillojë edhe një lehtësim i kufizimeve të vendosura kundër virusit bazuar në kushtet në provinca të veçuara, raporton Anadolu Agency.
Erdoğan njoftoi se shtetrrethimi gjatë fundjavave, që është në fuqi që nga muaji dhjetor, do të hiqet në provincat me rrezik të ulët dhe të mesëm, ndërsa të dielën “për një kohë” do të vazhdojnë kufizimet në provinca të klasifikuara me rrezik të lartë.
Ai po ashtu tha se të gjitha institucionet e arsimit parashkollor në të gjithë Turqinë, si dhe shkollat fillore dhe klasat 8 dhe 12, do të rinisin mësimet me prani fizike.
Në fushatën e suksesshme të Turqisë në vaksinimin kundër koronavirusit, presidenti Erdoğan përmendi se janë administruar 9 milionë doza të vaksinës dhe se Turqia është një nga pesë vendet në të gjithë botën që tashmë kanë vaksinuar 10 për qind të popullsisë së tyre.
Deri më tani, Turqia ka regjistruar mbi 2.7 milionë raste të koronavirusit, përfshirë 28.638 vdekje dhe mbi 2.57 milionë të shëruar.