E enjte, 25 Prill, 2024

“TURP PËR DREJTËSINË E POLITIKËN QË MBANË NË BURG ÇLIRIMTARËT”

Bashkim Mustafa ka bërë një thirrje emocionale për protestë, për lirimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimit.

Përmes një letre, Mustafa, i cili vjen nga Açareva, fshati i Selimit, ka kujtuar kohën kur në vitet e luftës 1997/98, shumë njerëz shkonin në këtë fshat për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton “inFokus”.

Lexoni edhe..

Ai kujton se të gjithë ata që vinin për t’u bërë pjesë e UÇK-së, ktheheshin të armatosur dhe të gatshëm që të rreshtohen në luftën e përhapur asokohe në Drenicë.

“Kam qenë i ri në moshë në vitet 1997/1998 por e mbaj mend që në fshatin tim të lindjes, Açarevë, për çdo ditë takonim njerëz të panjohshëm të cilët na e bënin pyetjen e njëjtë: Ku është shtëpia e Sulltanit – Sylejman Selimit? Ata vinin për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adresa e UÇK-së ishte shtëpia dhe familja e gjeneral Sylejman Selimit”, rrëfen Mustafa.

“Kishte mjaft njerëz që rrinin për ditë të tëra në Açarevë dhe nuk ktheheshin prapa pa u armatosur dhe rreshtuar për luftën që tashmë ishte përhapur në Drenicë. Emri i Sylejman Selimit dëgjohej kudo. Ishte bërë sinonim i luftës që ngadalë po përfshinte tërë Kosovën”, vazhdon tregimin e tij bashkëfshatari i Sylejman Selmit.

Tash 20 vjet pas, Mustafa po bën ftesë që të protestohet për lirimin e ish-komandantit, i cili po mbahet në burg edhe pse rastin e tij e ka prishur Gjykata Supreme, kurse Gjykata Kushtetuese e ka anuluar duke e kthyer në rivendosje.

Mustafa e ka quajtur turp gjithë këtë që po ndodhë me një prej figurave kryesore të UÇK-së.

“Është turp për drejtësinë/gjyqësorin tonë, është turp për klasën politike që kanë ndërtuar shtet ku burgoset përmes proceseve të montuara luftëtari dhe komandanti i madh Sylejman Selimi. Burgosen çlirimtarët nga drejtësia që është në shërbim të politikave të ndyta”, thekson ai.

Megjithatë, këtë protestë të thirrur për të mërkurën në ora 12:00 para pallatit të drejtësisë, me një letër nga burgu e ka kundërshtuar vet Sylejman Selimi.

Ai ka theksuar se përkundër gjithë asaj që ka ndodhur, protesta nuk është zgjidhje. Ai ka kërkuar që të mos protestohet.

Të ngjajshme