Turizmi ka qenë sektori më i goditur në vitin 2020. Pandemia, bllokoi të gjitha udhëtimet për një periudhë disa mujore, por dhe më pas ato mbetën të kufizuara dhe vijojnë të jenë të tilla.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri u përgjysmuan, duke zbritur në 989 milionë euro. Në total, në vend kanë hyrë rreth 1.1 miliardë euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend në 2020- ra me 58.5%, pas viti i mëparshëm kishte qenë më i miri në historinë e turizmit shqiptar. Rezervimet e verës nga agjencitë e huaja në Europë, nga Polonia, Çekia, vendet nordike, Gjermania etj u anuluan.

Turizmi u mbajt në këmbë nga rajoni, kryesisht shtetasit e Kosovës, të cilët shpëtuan hotelet nga rënia edhe më e thellë e të ardhurave. Në 2020-n, turistët nga Kosova zunë 52% të totalit, nga 34% një vit më parë.

Ndërsa të huajt nuk kishin kufizime për të hyrë në Shqipëri që nga maji, Bashkimi Europian ndaloi udhëtimin e shtetasve shqiptarë prej mesit të marsit dhe ende nuk lejon lëvizje për qëllime turistike. INSTAT raportoi se numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga vendi në 2020-n ra me 51%.

Në total janë rreth 915 milionë euro “të kursyera”, si rrjedhojë e pamundësisë për të lëvizur.

Njësoj si me shpenzimet e shtetasve të huaj, edhe ato të shqiptarëve ranë me ritmet më të larta në tremujorin e dytë dhe të tretë. (shih grafikun: Shpenzimet e shqiptarëve jashtë sipas tremujorëve).

Ulja e numrit të turistëve dhe shpenzimet e munguara të tyre çuan në krizë aktivitetin hotelier shqiptar. Sipas INSTAT, volumi i aktivitetit të këtij sektori që vitet e fundit kishte marrë hov për shkak të rritjes së numrit të turistëve, ra me 63% gjatë periudhës së karantinës.

Ndalimi i udhëtimeve dhe i aktiviteteve turistike, që ende po vijon, ka bërë që edhe agjencitë e udhëtimit të jenë më të goditurat në vend nga pandemia. Ky sektor nuk po arrin të marrë veten.