Agjencia Kosovare e Privatizimit ka rreth 2100 asete të cilat janë të paprivatizuara, e shprehur në përqindje janë 57% e aseteve në total.
Shqetësuese është rënia e fuqisë blerëse. Ani pse nuk ka matje dhe analiza për shkaqet e rënies së interesimit, kjo mund të ndodhë për shkak të rrethanave ekonomike në vend.
Drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se së shpejti planifikohet të arrihet një bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe të ndërtohet dhe të bëjmë një kampanjë që i dedikohet vetëm diasporës.
“Dorën në zemër, ne kemi pak shqetësim për shkak se ka rënë fuqia blerëse, vërehet tek ne në AKP. Ka rënë pak interesimi. Ne jemi duke shikuar mundësi që të rritim marketingun pak, ose të provojmë metoda alternative, sesi t’i bëjmë asetet tona sa më atraktive dhe tërheqjen e vëmendjes së investitorëve potencialë. Së shpejti planifikoj të arrij një bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe të ndërtojmë dhe të bëjmë një kampanjë që i dedikohet vetëm diasporës. Jam i bindur se ka mjaftueshëm qytetarë të Kosovës që jetojnë në diasporë dhe që kanë interesim të madh për të pasur prona në Kosovë po që informatën e kanë shumë të vogël”, u shpreh Tolaj.
Ai tha se janë në fazën e identifikimit të metodave që të rritet interesimi për shitje dhe të përfundohet transformimi i pronës.
“Mund të jetë shkak i interesimeve dhe i rrethanave ekonomike e që ne nuk kemi matje ose analiza, kështu që për mua do të ishte spekulim. Por jemi në fazën e identifikimit të metodave të rritjes së interesimit nga palët e ndryshme dhe nga blerës të ndryshëm që të rritet shitja dhe të përfundohet transformimi i pronës. AKP-ja ka vetëm një mision: transformimin sa më të shpejtë dhe likuidimin e pronës dhe ndërmarrjeve shoqërore”, tha ai.
Sa i përket ndërmarrjeve të mëdha si “Hoteli Grand”, miniera e Goleshit dhe e Strezovcit, Tolaj tha se AKP-ja me Qeverinë kanë një marrëveshje, e cila këto ndërmarrje i nënshtron në listën potenciale të shitjes ose privatizimit të tyre përmes Ligjit të Investime Strategjike
“Të gjitha janë thuajse të gatshme për privatizim. Ajo që e ka frenuar Agjencinë Kosovare e Privatizimit është një marrëveshje me Qeverinë, e cila ka ndodhur vitin e kaluar, dhe tani këto asete i nënshtrohen listës potenciale të shitjes ose privatizimit të tyre përmes Ligjit të Investime Strategjike. Është një dakordancë ndërmjet Agjencisë dhe Qeverisë, shihet si një mundësi për shkak të kapacitet më të madh që ka Qeveria të tërheqjes së investitorëve të huaj. Ne e kemi dërguar si listë, i kemi identifikuar si asete, janë dërguar në Qeveri edhe në bashkëpunim me ta jemi duke gjetur mënyrën qysh do t’i nënshtrohen privatizimit”, u shpreh Tolaj.
Tolaj foli edhe për sfidat që ka AKP-ja, ku tha se si institucion, janë të varur nga veprimet dhe institucionet tjera. Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, sipas Tolajt, imponon edhe dinamikën e AKP-së.
“Sfida kryesore që ka AKP-ja është varshmëria nga institucionet e tjera. Jemi të varur nga veprimet e institucioneve të tjera, filluar nga gjykatat, posaçërisht Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme imponon edhe dinamikën tonë. Ka shumë ankesa që bëhen dhe ne jemi të varur prej dinamikës së gjykatës, nuk mund të veprojmë pa vendime gjyqësore të formës së prerë. Vonesat shkaktohen edhe në procesin e privatizimit dhe transformimit të pronës në tërësi”, tha ai.
Pavarësisht sfidave totali i fondit të privatizimit ka arritur në 800 milionë euro, në të gjitha periudhat. Sipas drejtorit Menaxhues të AKP-së, vetëm vitin e kaluar i janë kaluar buxhetit të Kosovës, rreth 43 milionë euro.
“Që kur ka filluar procesi i privatizimit, nga qiratë dhe të hyrat tjera që ne i kalkulojmë, totali i fondit të privatizimit ka qenë diku rreth 800 milionë euro. Prej tyre, një pjesë e madhe janë shpërndarë për punëtorët, ajo që njihet në publik si 20-përqindëshi, diku mbi 125 milionë euro janë shpërndarë te punëtorët. Deri tani, një pjesë e fondit i është dedikuar buxhetit të Kosovës. Në bazë të Ligjit për AKP-në, fondet tepricë sikur i quajmë, diku rreth 220 milionë euro janë transferuar në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Flas në të gjitha periudhat prej themelimit të agjencisë e deri tani. Vetëm vitin e fundit, ose flasim para më shumë se një muaji, ne i kemi kaluar buxhetit të konsoliduar praktikisht rreth 43 milionë euro”, u shpreh Tolaj.