TERRORISTI AUSTRALIAN PËRMEND ERDOGANIN, JA SI REAGON PRESIDENTI TURK

Edhe përballë sulmeve islamofobike, muslimanët asnjëherë nuk do të gjunjëzohen, tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan pas sulmeve terroriste ndaj xhamive në Zelandën e Re, nga të cilat 49 persona humbën jetën.

Erdogan reagoi ndaj terroristit australian, i cili në manifestin e tij prej mbi 60 faqesh, e përmendi Erdoganin dhe Turqinë si një “armik të njerëzve të bardhë”.

“Si muslimanë, kurrë nuk gjunjëzohemi dhe nuk do të biem në nivelin e këtyre frikacakëve”, tha Erdoğan në një tubim në provincën juglindore Gaziantep.

 

 

Komentet e presidentit turk erdhën pas sulmeve ndaj besimtarëve në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, të cilat gjithashtu lanë 48 persona të plagosur, përfshirë tre qytetarë turq.

“Ky vrasës lëshoi një deklaratë kundër vendit tonë, kombit tonë, personalitetit tim dhe të gjithë muslimanëve”, shtoi ai, duke iu referuar një manifesti në internet të postuar nga njëri prej të dyshuarve në masakër.

Erdoğan shtoi se Turqia do të shfaqë të njëjtin qëndrim parimor ndaj vdekjes së çdo njeriu të pafajshëm, pavarësisht nga origjina dhe besimi i tij.

 

 

Sipas TRT World, shtetasi australian Tarrant, një nga terroristët që masakroi 49 persona gjatë faljes së namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch, mësohet se gjatë datave 17-20 mars ka qenë në Turqi. Ai poashtu kishte ardhur sërish në Turqi më 13 shtator pas grushtit të shtetit.

Zyrtarët turq janë fokusuar mbi mundësinë se Tarrant i cili herën e dytë ka qëndruar 43 ditë në Turqi, mund të ketë ardhur për të kryer ndonjë sulm të mundshëm terrorist.

Sipas ABC News me transmetim në Australi, është përcaktuar se Tarrant ka vizituar Evropën, Azinë Juglindore dhe Azinë Lindore dhe në vitin 2018 ka qenë edhe në Pakistan. Gjithashtu në lajm janë paraqitur edhe fotografi të cilat tregojnë se Tarrant ka qenë edhe në Korenë e Veriut.

 

Gjatë ditës së djeshme, edhe Prokuri bullgar i Përgjithshëm, Sotir Tzatzarov, tha se i dyshuari Brenton Tarrant i lindur në Australi, ishte në Bullgari midis 9 dhe 15 nëntorit të vitit të kaluar për të vizituar vendet historike.

Tzatzarov theksoi se Tarrant me një makinë të marrë me qira po ashtu edhe në vitin 2016 ka udhëtuar nëpër Bullgari, Rumani, Hungari dhe nëpër disa vende të tjera të Ballkanit.