Qeveria gjermane është goditur nga zgjedhjet e fundit në landin gjerman Thüringen, ku partia e kancelares Angela Merkel, CDU, është rënditur e treta me 21.8 përqind, pas partisë Die Linke (31%) dhe popullistëve të djathtë AfD 23.4 përqind.
Partia e katërt ishte SPD, që është në koalicionin qeverisës gjerman, por duke arritur të fitojë vetëm 8.2 përqind të votave.
Kjo ka sjellur edhe pakënaqësi në drejtimin e ri të CDU, ku ish shefi i unionit, Friedrich Merz (63, CDU) ka akuzuar hapur vendimet politike të Merkelit.
Sipas Merz problemi është te koalicioni qeverisës mes unionit CDU/CSU dhe SPD, duke shkaktuar edhe këto humbje të njëpasnjëshme në landet gjermane.
Pasi ka kërkuar dhënien fund të koalicionit qeverisës, Merz ka drejtuar gishtin edhe te Merkel, si fajtore për prurjen në këtë situatë të partisë më të madhe gjermane.
Merz ka qenë kundërshtari kryesor i pasardhëses së Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer, por kohëve të fundit ka fituar mbështetje të madhe brenda partisë. Kryesisht mbështetja e tij vjen nga kryeparlamentari Wolfgang Schauble si dhe ish kryeministri i Hessen Roland Koch, informon foldrejt.com, intervistën e Merz për ZDF.
“Ky stil i qeverisjes nuk mund të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme të 2021 (atëherë kur i mbaron mandati Merkelit- SHP). Problemet janë shumë të mëdha. Kjo nuk i vjen përshtati as Gjermanisë, por as Europës,” tha tutje Merz.
Përkundër akuzave të rënda ndaj Merkelit, Merz nuk ka kritikuar aspak udhëheqësen e CDU Annegret Kramp-Karrenbauer – njëherësh prej asaj që humbi garën e drejtimit të partisë.
“Ajo thuajse se nuk ka luajtur asnjë rol negativ. Unë i kam premtuar asaj mbështetje edhe në kohët e vështira,” tha ai.
Por kërcënimi i Merz bëhet më i qartë gjatë mbledhjes që pritet të ndodhë në Lajpcig, ku sipas tij, “atje duhet të diskutohet hapur dhe të merren masa të sinqerta.”/Foldrejt.com