Telefonat e zgjuar me rrjetin 5G që pritet të prezantohen në shkurt

Gjatë muajit që vjen, në Barcelonë do të zhvillohet një prej aktiviteteve më të mëdha të telefonisë, Mobile World Congress.

Krahas telefonave të palosshëm dhe kamerave të vendosura thellë nën sipërfaqe, më 25 shkurt pritet të shohim edhe telefonat e zgjuar me rrjet 5G të internetit, transmeton Telegrafi.

Nuk është fjala për arritjet dhe rezultatet e testimeve, të shpejtësisë së 5G – por, prezantimin e telefonave të vërtetë, që e mbështesin këtë kapacitet të internetit.

Prodhuesit gjigant si LG dhe Huawei, kanë bërë të ditur sot se do të shfaqin në këtë aktivitet, telefonat e tyre që e mbështesin rrjetin 5G.

LG që është e njohur për paralajmërime të pajisjeve, pak kohë para prezantimeve nëpër panaire, ka konfirmuar se do ta prezantojë një telefon me këtë nivel interneti.

Mbetet e paqartë nëse është ndonjë variant i ri i LG G8, që gjithashtu do të prezantohet në aktivitet, apo ndonjë pajisje krejtësisht tjetër.

E tëra që LG ka bërë të ditur, është diagrami i ndërtimit të brendshëm të telefonave, apo më saktësisht, sistemi i ftohjes së baterive që thuhet të jenë shumë të fuqishme.