Të rinjtë në Kosovë janë më të papunët në rajon, ndërsa mbi 70 përqind e tyre duan të punësohen në sektorin publik edhe pse shumica besojnë që vetë m duke pasur lidhje familjare dhe politike mund të jesh pjesë e këtij sektori.
Këto ishin të dhënat që kanë dal nga publikimi “Studimi për Rininë Kosovë 2018-2019” i cili është realizuar nga Friederich Ebert Stiftung dhe që u prezantuan në diskutimin e organizuar nga Kongresi Kombëtar i të Rinjve në rreth (mos) implementimit të Ligjit të Punës.
Mevlyde Hyseni koordinatore e programeve në Friederich Ebert Stiftung tha se vetëm 23 përqind e të rinjve në Kosovë janë të kënaqur me sistemin arsimor në Kosovë, por që pothuajse të gjithë duan ta kenë një diplomë fakulteti pasi që nga shkollimi profesional nuk shohin mundësi për punësim.
Sipas këtij studimi 43 përqind e të rinjve në Kosovë janë të papunë, dhe prijnë në rajon për nga niveli i papunësisë.
Institucionet publike janë institucionet të cilave më së paku u besojnë të rinjtë e Kosovës, dhe se vetëm duke pasur lidhje familjare dhe politike mund të gjejnë në vend pune në sektorin publik.
Sipas studimit për rininë e Kosovës 2018-2019 50 përqind e të rinjve thonë se do ikin nga Kosova për të gjetur një vend pune dhe kushte më të mira për jetë, dhe po ashtu shihet një rënie e kërkesës për punësim.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka kërkuar një ngritje të vetëdijes shoqërore me qëllim që askush të mos pranojë punësim pa kontratë.
Ibrahimi po ashtu tha se si Inspektorat i Punës gjatë vitit 2018 kanë gjetur se 700 punëtorë nuk kanë qenë të pajisur me kontrata pune.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se shumë prej kompanive private synim kanë profitin e jo edhe respektimin e të drejtave të punëtorëve.
Sipas tij vetëm 5 për qind e kompanive që veprojnë në Kosovë e respektojnë Ligjin e Punës, derisa ka theksuar se punëkërkuesit duhet të mos pranojnë të punojnë pa kontrata të punës.
Për publikimin “Studimi për Rininë Kosovë 2018-2019” janë anketuar të rinj të moshave 14 deri në 29 vjeç.