Të premten BSH blen euro. Ankandi i radhës për rritjen e rezervës valutore

Ndërkohë që euro ka prekur nivelin më të ulët në 11 vjet, Banka e Shqipërisë të premten do të organizojë ankandin e radhës të blerjes në tregun valutor.

Ankandi është i parashikuar në kalendarin vjetor të blerjeve së euros, me qëllim rritjen e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë. Këto operacione nuk kanë qëllim ndikimin e nivelit të kursit të këmbimit, siç ndodhi në verën e vitit të kaluar. Sipas kalendarit, në ankandin e të premtes do të blihet në raundin e parë një shumë nga tre deri në gjashtë milionë euro. Por, të dhënat historike kanë treguar se blerjet e Bankës së Shqipërisë arrijnë shuma më të mëdha, përmes një raundi të dytë të ankandit. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë organizoi 10 ankande për blerje të euros.

Ndërkohë që shuma maksimale e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë ishte gjithsej 60 milionë euro, në total gjatë ankandeve u ble një shumë mbi dy herë më e lartë, prej 123.8 milionë eurosh. Programi i blerjeve do të vazhdojë edhe këtë vit. Deri tani, janë zhvilluar katër ankande, por rezultatet e tyre ende nuk janë publikuar. Banka Qendrore i publikon të dhënat e operacioneve në tregun monetar dhe valutor me disa muaj vonesë, ndoshta me qëllim për të mos ndikuar ecurinë korrente të tregut përmes këtyre të dhënave. Për vitin 2019 janë parashikuar të zhvillohen gjithsej 17 ankande për blerje të euros në tregun valutor.

Ankandet e Bankës së Shqipërisë rrisin në mënyrë të përkohshme kërkesën për euro në tregun valutor, çka, në teori, mund të sjellë një mbiçmim të lehtë të euros, të paktën në ditët pranë zhvillimit të ankandeve. Por, statistikat e kursit euro-lek evidentojnë se në periudhat e zhvillimit të këtyre ankandeve nuk ka pasur luhatje të mëdha.

Kjo tregon se efekti i blerjeve të programuara të Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit deri tani ka qenë modest. Madje në afatin e gjatë, pavarësisht blerjeve në shuma të konsiderueshme nga Banka Qendrore duke filluar nga viti 2017, tendenca e kursit ka qenë në favor të mbi çmimit të lekut.