Kur astronautët tentojnë të dalin nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar drejt ecjes së tyre hapësinore, gjëja më e rëndësishme që ata duhet të bëjnë është të përqendrohen.

Kjo mund të tingëllojë e thjeshtë, por të përqendrohesh duke kryer një sërë veprimesh të memorizuara, me një kostum hapësinor 130 kilogramë, si dhe me një pamje mahnitëse përreth, nuk është aq e thjeshtë.

Sfidat e ecjes hapsinore

-Këto ecje zakonisht përfshijnë dy astronautë që punojnë jashtë stacionit për rreth gjashtë orë e gjysmë. Sipas astronautëve, momenti i shkëputjes nga kapsula dhe nisja e ecjes në hapësirë, mund të jetë gjëja më e rrezikshme që ata bëjnë në punën e tyre.

-Trajnimi në tokë, përpara fluturimit hapësinor, ndihmon astronautët të përqendrohen, të mësohen me veshjen hapësinore, mjetet ndihmëse, si dhe të kuptuarit e detyrave dhe veprimeve që do të kryhen. Por këto trajnime zgjasin me ditë dhe orë të tëra, për t’i paraprirë çdo eksperience.

-Stërvitje të zgjatura astronautët bëjnë edhe nënujë, pasi kështu i përafrohen më shumë konceptit të ecjes në hapësirë. Natyrisht, disa gjëra nuk mund të simulohen, të tilla si drita dhe ndryshimet e temperaturës që përjetojnë astronautët gjatë ecjes së tyre.

-Ushtrimet me frymëmarrjen, si dhe zbatimi i rregullave për pajisjen me oksigjen janë thelbësore për astronautët. Gjatë ecjes, astronauti veteran Fincke, kreu ushtrime për 30 minuta për frymëmarrjen, mbylli valvulën e veshjes së tij dhe doli jashtë. Por valvula nuk u mbyll në të vërtetë, duke bërë që ai të humbasë me shpejtësi oksigjenin dhe ecja hapësinore u ndërpre.

-Koha ideale për të planifikuar një ecje hapësinore është gjashtë muaj, por mund të ndodhë që një ekipi t’i duhet dy ose më shumë vite përgatitje. Kontrolluesit e fluturimit ndjekin një plan të detajuar procedurash, që përfshin edhe skenarë të paparashikuara në rast se diçka shkon keq.

-Çdo 90 minuta, astronautët kontrollojnë veshjen e tyre, për t’u siguruar që nuk ka ujë brenda helmetave të tyre. Ekipet gjithashtu monitorojnë – oksigjenin, ujin, si dhe energjinë e baterisë, që janë shumë të rëndësishme për astronautin që realizon ecjen hapësinore.