Taulant Xhaka flet për talentin e Granitit, lojën kundër Serbisë, talentet e Kosovës dhe të ardhmen

Lojtari i Kombëtares, Taulant Xhaka, ka kryer një intervistë për median më të klikuar zvicerane “Blick”, ku ka sqaruar marrëdhëniet me të vëllain Granit dhe të ardhmen e tij.

Edhepse Granit thotë se Taulanti ka më shumë talent, ky i fundit thotë se është e kundërta, pasi jo më kot “Graniti luan në Arsenal”.

Në fillimet e karrierës Graniti ka luajtur si sulmues me të rinjtë e Baselit, kurse Taulanti si tani mbrojtës. Në lidhje me qëndrimin në Zvicër, Taultanti thotë: “Unë nuk dëshiroja me patjetër të luaja jashtë dhe dua të përfundoj karrierën time në Basel. FCB është klubi i zemrës sime, këtu kam lindur, këtu ndjehem super”, përcjell foldrejt.com.

Edhepse nuk është e pamundur, qëllimi i Xhakës mbetet që të thyejë rekordin e Massimo Ceccaroni i cili ka luajtur 452 ndeshje me FCB. Kjo i bie që Xhaka në shtatë vitet e ardhshme të luajë rreth 30 përballje me Basel-in – jo e pamundur pasi ai ka vetëm 27 vjeç.

Më tej Taulanti thotë se sezona nuk ka përfunduar akoma në Zvicër, duke nënkuptuar se Baseli akoma mund të fitojë titullin kampion.

Por “tani liga është bërë më e mirë dhe nëse më përpara kundërshtarët tanë kishin më shumë respekt për ne, sot ata luajnë më me vetëbesim,” vijon 27 vjeçari shqiptar.

Në lidhje me kritikat që shpesh i janë adresuar të vëllait, Taulanti e ka këshilluar Granitin që të mos merret shumë me gazetat, por me atë se çfarë mendon trajneri.

Taulanti nuk i ka shpëtuar edhe pyetjes rreth Kupës së Botës dhe fitores së Zvicrës kundër Serbisë.

“I jam gëzuar lojës shumë të mirë të Zvicrës kundër Brazilit dhe Serbisë. Kundër Suedisë ekipi ndjehej disi i lodhur,” tha fillimisht ai, duke shtuar se gjesti i shqiponjës dykrenore ka qenë temë e mjaft mediave dhe ai nuk dëshiron më të flasë rreth saj.

Fare në fund Taulanti është pyetur nëse do luante për Kosovën në të ardhmen. Përgjigja e tij është “jo”, por përfaqësuesja e Kosovës i sjell kënaqësi.

“Momentalisht ata janë në rrugë të drejtë. Kanë shumë talente dhe euforia është e lartë,” tha në fund Taulanti./Foldrejt.com