Sipas Agim Shahinit,kryetar i Aleancës Kosovare për Biznes, punësimi është rritur për 15 për qind pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë, veçmas në industrinë ushqimore, ku ka kompani që ka rritur stafin deri në 50 për qind. Shahini tha se Shqipëria është vendi ku Kosova eksporton më së shumti në botë dhe më këtë vend në fund të 2018 shkëmbimet tregtare janë 270 milionë euro, si asnjëherë më parë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se hulumtimi është bërë në 300 kompani.
“Nga hulumtimi i ynë del se prodhimi është rritur deri në 20 për qind”, tha Shahini, në INFO3 të RTK3. Sipas tij, duhet theksuar se ka pasur edhe efekte negative si rritja e çmimeve të transportit, të cilat janë rritur me gati 40 për qind, por që gjithsesi mbeten afërsisht të njëjtë me rajonin. “ Duhet theksuar se shkëmbimet tregtare me Shqipërinë po rriten.
Sipas raporteve deri në fund të dhjetorit, shkëmbimet tregtare si asnjëherë me parë, arritën në 270 milionë euro. Mos të harrojmë që Shqipëria është vendi ku Kosova eksporton mallra më së shumti në botë”, tha tutje Shahini.
Ai i bëri kërkesë inspektoratit që mos të ngutet me vendime për të gjobitur bizneset për shkak të flamujve, për shkak se implementimi i vendimeve në terren është më i vështirë se ajo në teori. Shahini gjatë emisioni bëri një rezyme të marrëdhënieve me Serbinë, duke treguar që edhe kur ka pasur raste që prodhuesit tanë kanë gjetur treg në Serbi, ato janë refuzuar nga konsumatorët serb. Gjithashtu, këtu ka pasur ndikim edhe inspektorati serb, që ka detyruar bizneset në Serbi që në rastet e mallrave të Kosovës, ato të identifikohen me flamur.