Dhimbje muskujsh, lodhje, probleme psikike: Sipas një studimi afatgjatë nga Kina, dy e treta e të sëmurëve rëndë me COVID-19 vuajnë edhe gjashtë muaj pas infektimit pasojat e sëmundjes.

Një studim i ri provon, se edhe ata që e kanë kaluar infeksionin dhe zyrtarisht janë të shëruar, shpesh vetëm të tillë nuk janë: të shëndetshëm. Dhimbje muskujsh, lodhje, probleme psikike si frika dhe depresioni, janë ndër pasojat më të shpeshta afatgjata të një infektimi me SARS-CoV-2, shkruajnë studiuesit në rezultatet e publikuara në revistën shkencore, “Lancet”.

Sipas studimit, gati dy e treta e pacientëve të trajtuar në spitale, edhe gjashtë muaj pas sëmundjes akute, vuajnë nga simptoma të ndryshme. “Analiza jonë tregon, se shumica e pacientëve, pas daljes nga spitali duhet të jetojnë të paktën me disa nga efektet e virusit dhe nënvizojnë nevojën e një kujdesi post-COVID-19, veçanërisht për ata që kanë kaluar infeksion të rëndë”, thotë Bin Cao, një nga autorët e studimit dhe zëvendësdrejtor i Qendrës Kombëtare Klinike për Sëmundjet Respiratore.

Shkencëtarët vëzhguan 1733 të infektuar, të cilët e kishin kaluar infektimin nga 7 janari dhe në 29 maj 2020 në spitalin Jin Yin-tan në qytetin Vuhan. Pacientët ishin mesatarisht 57 vjeç, 52% e tyre ishin burra, 48% gra. Shumica e pacientëve (1172 vetë) kishin pasur nevojë të merrnin oksigjen.

Nga mesi i qershorit dhe fillimi i shtatorit të vitit të kaluar, pacientët u kontrolluan sërish. Shkencëtarët gjetën me ndihmën e pyetësorëve, vlerave laboratorike dhe testeve të aftësisë trupore, se 76% e tyre të paktën tregonin një simptomë, që e shoqëronte pacientin që nga infektimi.

Symbolbild Wasserglas und medikamente

Të lodhur dhe të dobët

63% raportuan se ndjenin dobësi muskulore dhe lodhje, ndërkohë që 26% kishin probleme me gjumin, ndjesinë e frikës apo depresionit. Shkencëtarëve u ra në sy, se femrave u duhej të luftonin më shumë me problemet psikike se sa burrave.

Testet laboratorike treguan po ashtu, se 13% e pacientëve, të cilin kishin pasur një funksionim normal të veshkave gjatë qëndrimit në spital, në kontrollet e mëvonshme tregonin një funksion të zvogëluar të veshkave. Kurse tek pacientët e sëmurë rëndë, edhe disa muaj pas sëmundjes vihej re një funksion i kufizuar i mushkërive dhe binte në sy furnizimi i pamjaftueshëm i trupit me oksigjen.

Studimi i shkencëtarëve kinezë pajtohet me rezultatet e studimeve të tjera për pasojat e COVID-19, por shkencëtarë të tjerë vërejnë edhe pika të dobta të tij.

Nevojiten më shumë hulumtime shkencore

Kështu për shembull në studim ishte relativisht e ulët pjesëmarrja e testuesve me sëmundje të mushkërive apo zemrës. Të dhënat për këtë nuk bazohen tek hulumtimet e studiuesve, por tek të dhënat e vetë pacientëve. Këtu mund të ketë pasur vlerësime të gabuara. Po ashtu të infektuarit me simptoma të lehta nuk kanë qenë pjesë e kontigjentit të studiuar, sepse ky grup nuk dërgohej në spitalin Jin Yin-tan por në spitale të tjerë.

„Ky fakt mund të mos e japë të saktë numrin e atyre që vuajnë nga pasojat afatgjata të një infeksioni me COVID”, thotë Jördis Frommhold, drejtoreshë e departamentit për Sëmundjet e Rrugëve të Frymëmarrjes dhe Alergjive në Klinikën MEDIAN, në Heiligendamm. Kjo klinikë ofron rehabilitimin fizik për pacientët që kanë kaluar sëmundjen e COVID.