Spasovski: Të miratohen ligjet në Kuvend, e pastaj të shkohet në zgjedhje

Kryeministri Oliver Spasovski thotë se së pari duhet të miratohen në Kuvend të gjitha ligjet, të cilat, siç deklaroi sot, janë shumë të rëndësishme për qytetarët, e pastaj të shpërbëhet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje. Nuk deshi të flas për formimin e shumicës së re eventuale parlamentare, sepse, siç tha, do të respektohet ajo për çka janë marrë vesh, do të miratohen zgjidhjet ligjore pas çka do të shkohet në zgjedhje.

“Ne së pari duhet t’i miratojmë ligjet të cilat janë shumë të rëndësishme për këtë shtet dhe pastaj duhet të shkojmë në zgjedhje. Ky është qëndrimi të cilin e kemi si Qeveri dhe si parti, që nga momenti i parë e deri më sot. Kështu që, të gjitha zgjidhjet ligjore, para së gjithash për ligjin për PP-në të cilat duhet të japin argumente plotësuese pozitive në sjelljen e vendimit të Këshillit Evropian që të fillojnë negociatat me BE-në duhet të jetë prioritet i të gjitha partive politike dhe i secilit deputet në Kuvend”, tha Spasovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në konviktin e studentëve “Goce Dellçev”, transmeton MIA.

Ai ende beson se kjo do të ndodh dhe se nuk do të ketë anulime “të pakuptimta” të seancave në të cilat duhet të bëhet kjo.

“Ne kemi marrëdhënie korrekte me BDI-në dhe pres se ashtu siç e filluam koalicionin ashtu edhe do ta përfundojmë sa i përket këtyre zgjidhjeve ligjore. Për këtë pres që ato të miratohen dhe se nuk do të ketë anulime të pakuptimta shtesë që të mund të arrijmë deri te ajo për të cilën jemi marrë vesh – të finalizohen këto zgjidhje ligjore dhe të shkojmë në zgjedhje”, tha kryeministri.

Nëse arrijmë deri aty që të pengohen zgjidhjet, shtoi Spasovski, atëherë mund të flitet për formimin eventual  të shumicës së re parlamentare, mundësi të cilën dje e bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski në një status në profilin e tij në Fejsbuk.

Spasovski nuk pret që asnjë parti politike e cila është pjesë e Qeverisë se do të bëhen ndryshime të ligjeve brenda në Kuvend, për atë që, siç tha, është harmonizuar tekst i cili ka kaluar në seancë të Qeverisë.

Në lidhje me atë se si deputetët e LSDM-së do të votojnë në lidhje me shpërbërjen e parlamentit në seancë të caktuar për të dielën, Spasovski theksoi se duhet të pritet që të shihet se si do të zhvillohen punët në Kuvend.

Kryeministri theksoi se Kuvendi duhet të punojë sipas propozimit të cilin e dorëzoi ai për shkarkimin e ministres teknike të Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi, që është pikë e rendit të ditës së seancës kuvendore të caktuar për në orën 15 dhe siç thotë, ajo të përfundojë. Përsëriti se pret propozim të ri nga VMRO-DPMNE-ja, që të zgjedhet ministër i ri dhe të vazhdohet më tutje në procesin e zgjedhjeve.