Pas aksionit të kësaj së marte të prokurorisë dhe policisë të ndërmarrë në Ministrinë e Bujqësisë ku u arrestuan 12 persona, janë Shoqata e Mullisëve dhe Sindikata e Bujqve që kërkojnë hetimin e dhënies të të gjitha subvencioneve që janë dhënë për bujqit.
Tahir Tahiri, Kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, është shprehur se subvencionet duhet të rishikohen dhe të hetohen prej periudhës kur kanë nisur të jepen.
“Subvencionimi ka filluar nga 2010-ta. Ne kemi kërkuar qysh moti që të hetohen subvencionet e dhëna dhe tash kërkojmë që të hetohen edhe ministrat që e kanë drejtuar Ministrinë e Bujqësisë, sepse asgjë s’ka mundur të bëhet pa qenë ata në dijeni”, është shprehur Tahiri.
Edhe Muhamet Farizi, Drejtor Ekzekutiv në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, ka kërkon që dhënia e subvencioneve në bujqësi, konkretisht në sektorin e drithërave të rishikohet po ashtu prej periudhës së nisjes së dhënies së tyre.
“Shumë gjëra janë zbuluar mirëpo fuqia politike nuk ka qenë sepse kanë qenë të implikuar ‘Peshqit e mëdhenj”, është shprehur ai.
Farizi ka thënë se në katër vitet e fundit ka qenë edhe vet pjesë e përgatitjes së subvencioneve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ku ka qenë i thirrur për mbulimin e sektorit të drithërave.