Ata janë rritur në Bullgari, Kroaci ose Kosovë – vende të ndryshme por me një gjë të përbashkët – shtete me demokraci jo funksionale. Gjithsesi të rinjtë e Europës juglindore kanë diçka të përbashkët, entuziamin për BE-në, shkruan fillimisht kulturorja gjermane Die Zeit, e cila disponon ekskluzivisht një anketë të kryer me 10 mijë të rinj ballkanikë, 14 deri 29 vjeç, prej shoqatës së majtë Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
“Ata kërkojnë më shumë siguri, mirëqenie, më shumë përgjegjësi pune dhe në fund më pak korrupcion. Një udhëheqje autoritare shihet për shumë sosh një ide e mirë. Nga Bashkimi Europian janë të entuziasmuar me idenë se anëtarësimi në BE sjell rritje ekonomike. Nga qeveritë e tyre shumica janë të zhgënjyer,” shkruan foldrejt.com, duke u mbështetur te kultororja gjermane DIE ZEIT.
Për anketën janë përzgjedhur të rinjtë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia.
Sa i takon ikjes së trurit, Braindrain, te vendet anëtare të BE-së, Rumania, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, vërehet një stopim i emigrimeve afatgjate drejt vendeve më të zhvilluara, kurse nuk vlen edhe për të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova. Këto të fundit e shohin shoqërinë e tyre të paperspektivë dhe gjejnë shumë arsye për emigrim.
Në pyetjen se cilin shtet do e zgjidhnin për të emigruar, Gjermania ndodhet në piedestal, por shpesh përmenden edhe shtetet si SHBA, Britania e Madhe, Zvicra dhe Italia.
Për autorët e studimit nuk ka shumë habi nga rezultatet pasi të rinjtë përveç shumë mangësive tjera në këtë rajon, kanë edhe shkollimin e vështirë dhe papunësi të lartë (nga 15,2 përqind në Slloveni deri 54.3 përqind në Bosnjë).
“Në lidhje me frikën, 49 përqind e të rinjve frikën më të madhe e kanë kundrejt korrupcionit. Në përgjithësi të rinjtë kanë probleme ekzistenciale – papunësia, varfëria, vende të pasigurta të punësimit – tema më shumë të frikshme sesa ndryshimet klimaterike ose krizës së refugjatëve,” shkruan më tej në studimin e anketës, përcjell foldrejt.com. “Të rinjtë shumë mendojnë se korrupcioni është kthyer në përditshmëri dhe nuk ke zgjidhje tjetër vetëm se të përshtatesh duke e zbatuar.”
Sa i takon BE-së, ajo është idealizuar nga shumë të rinj ballkanikë dhe ka besim më të madh sesa qeveritë e tyre kombëtare. Me BE-në, shpresa është e lidhur shumë me ekonominë.
Vendet me më pak besim të qeveritë kombëtare
Rumania, Kosova dhe Shqipëria janë shtetet që kanë më pak besim te qeveritë e tyre respektive. E kanë vlerësuar me 1.6, 1.8 dhe 1.9 nga 5 maksimumi qeverinë e tyre. Shtetet që e kanë vlerësuar më shumë BE-në janë përsëri Kosova (3.1), Shqipëria (3.2) dhe kësaj here Bullgaria (3.4).
Më pak besim në BE kanë Serbia (2.1), Mali i Zi (2.4) dhe Maqedonia e Veriut (2.5).
Mbi pyetjen “nëse vendi juaj duhet të qëndrojë në BE ose duhet të anëtarësohet në BE?” më të zëshëm janë shqiptarët: 95 përqind e tyre u përgjigjën me “po”, ndjekur nga Bullgaria (91 përqind), Kosova 89, Kroacia 87 dhe Rumania 85 Prozent. Shifra më e vogël këtu është përsëri te serbët, ku vetëm 56 përqind e tyre janë pro anëtarësimit të vendit në BE.
Kundër martesave mes homoseksualëve
Në kohën kur shumë të rinj kritikojnë korrupcionin dhe janë pro anëtarësimit në BE, një pjesë e madhe e tyre (veçanërisht në Malin e Zi, Shqipëri, Rumani dhe Bosnjë) kërkojnë më pak tolerancë ndaj homoseksualëve ose abortit.
Poashtu 86 përqind e të rinjve kërkojnë që “qeveria e tyre të merr më shumë përgjegjësi, që të furnizojë të gjithë”, kurse 77 përqind “kërkojnë që të hyrat mes të pasurve dhe të varfërve të jenë të njëjta.”
60 përqind e të anketuarve kërkojnë një lider që ta udhëheq vendin me “dorë të hekurt” (në anglisht pyetja është: “A leader who rules the country with a strong hand for the public good“). Shumë të rinj këtu preferojnë liderë social-demokratë si Aleksis Cipras dhe Bernie Sanders.
Të dhënat e anketës flasin për të rinj me vlera që nuk është lajm i mirë për demokracitë e dobta të rajonit.
Megjithatë, autorët e anketës shohin potencial për zhvillime pozitive, më shumë perspektiva profesionale, më shumë shtet ligjor dhe luftës së korrupcionit.
Në fund anketa sjell në pah krahas shpresës së të rinjve ballkanikë edhe detyrën e BE-së që të vijojë “procesin e europianizimit” të rajonit – që mund të sjell vetëm efekte pozitive./Foldrejt.com