Nëse dikush mendonte se pas zgjedhjeve të 25 Prillit politika shqiptare do të shkonte me pushime është gabuar!

Termometri politik këtë javë pritet të rritet si asnjëherë më parë, duke nisur me ditën e sotme, që do të votohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga parlamenti, një ngjarje e paprecedentë për vendim tonë, shkruan Top Channel, transmeton FolDrejt.com.

Në këtë përballje finale me Ilir Metën socialistëve u duhen 94 vota të cilat të vetëm nuk i kanë.

Jo një, jo dy por plot 16 shkelje kushtetute i gjeti komisioni hetimor presidentit Ilir Meta, duke i propozuar parlamentit shkarkimin.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Përmes këtij raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste i drejtohet seancës plenare të 10 qershorit për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti.