Në Shqipëri kanë mbërritur edhe 8.190 doza të tjera të vaksinës anti Covid-19 nga kontrata me kompaninë Pfizer.
Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat tha se vazhdon furnizimi me vaksinën e kompanisë Pfizer.
“Vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të vaksinës AstraZeneca. Po ashtu jemi në komunikim intensiv edhe me dy shtete të tjera me synimin që të shtojmë sasinë e vaksinave. Objektiv i 14 muajve është shumë ambicioz në kushtet në të cilat ndodhemi për faktin se çdo ditë lufta për të siguruar doza të vaksinës është shumë e fortë nga katër anët dhe sasitë në raport me kërkesat mbeten shumë të vogla”, u shpreh Rama.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi se në vend vazhdon procesi i vaksinimit.
Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 fillimisht me personelin shëndetësor, sipas autoriteteve me vaksina të dhuruara nga një vend i Bashkimit Evropian(BE).
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 6.728 vaksina.