SHBA “thellësisht e shqetësuar” nga luftimet në Tripoli të Libisë

Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të shqetësuara” nga luftimet pranë kryeqytetit të Libisë, Tripoli, dhe bënë thirrje për “ndalimin e menjëhershëm” të ofensivës së udhëhequr nga Ushtria Kombëtare e Libisë.
Ky grup udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar dhe synon të marrë kontrollin e Tripolit nga qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga Kombet e Bashkuara.

“E kemi bërë të qartë se ne kundërshtojmë ofensivën ushtarake të forcave të Khalfia Haftarit. Fushata e njëanshme ushtarake në Tripoli rrezikon civilët dhe minon perspektivat për një të ardhme më të mirë për të gjithë libianët”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Qeveria e Libisë tha se së paku 21 njerëz u vranë dhe 27 u plagosën në luftimet që kanë nisur të enjten e kaluar, nga jugu dhe perëndimi i Tripolit.
Kryeministri al-Serraj e akuzoi gjeneralin Haftar për përpjekje për grushtshtet dhe tha se forcat e tij nuk do të lejohen të hynë në kryeqytet.
Fuqitë ndërkombëtare filluan të evakuojnë personelin nga Libia, për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

Haftar e ndihmoi Gaddafin të merrte pushtetin në vitin 1969, përpara se të armiqësohej me të dhe të shkonte në mërgim në SHBA.

Haftar u kthye në Libi në vitin 2011, pasi nisi kryengritja kundër Gaddafit dhe ai u bë komandant i rebelëve.