Ndërsa komunitetet në mbarë Shtetet e Bashkuara përballeshin me shifrat tronditëse të rasteve të infektimeve nga koronavirusi marsin e kaluar, qindra universitete dhe kolegje mbyllën kampuset, duke sjellë çrregullime në jetën e profesorëve dhe studentëve.
Studentët e ciklit të lartë, shumica nën moshën 29 vjeçare, janë ndër më pak të rrezikuarit nga virusi, sipas të dhënave të CDC-së (Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve). Megjithatë, studiuesit në Kolegjin Imperial në Londër konstatuan se të rinjtë janë ndër përhapësit më të mëdhenj në komunitete dhe se përbëjnë rrezik për personat me sistem imunitar të dobësuar.
Në mungesë të një strategjie kombëtare se si duhet të reagojnë shkollat, institucionet arsimore patën përqasje të ndryshme dhe disa prej tyre ndryshuan kurs me kalimin e kohës. Fillimisht, ata i dërguan studentët në shtëpi. Në vazhdim i rikthyen, vetëm për t’i dërguar sërish në shtëpi.
Por studentët u ankuan se mësimi virtual ofron një eksperiencë arsimore më të dobët, të mbizotëruar nga probleme teknike dhe me mungesë mbështetjeje dhe burimesh.
Regjistrimet për semestrin e pranverës ranë. Shkollat humbën të ardhura.
Në vjeshtë, shumë shkolla rihapën konviktet dhe rifilluan pjesërisht operacionet në kampus, por disa u detyruan të mbyllen sërish me shpejtësi, për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Me vaksinat e disponueshme dhe me më pak raste me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, ekspertët parashikojnë rikthimin në vjeshtë tek një program disi normal mësimdhënieje. Kjo do të mirëpritet nga studentët që thonë se virusi u ka vjedhur nga eksperienca e tyre në kolegj.