Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden po përgatitet të heqë Huthitë në Jemen nga lista e “organizatave të huaja terroriste”, të cilët ish-presidenti Donald Trump i vendosi në listë në ditët e fundit të tij në detyrë.

Në një deklaratë në median amerikane nga një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit emri i të cili nuk zbulohet, thuhet se administrata e Bidenit ka informuar Kongresin lidhur me hapin në fjalë.

Sipas kësaj, administrata e Bidenit do të përfundojë së shpejti punimet e saj dhe do të heqë Huthitë në Jemen nga lista e “organizatave të huaja terroriste”.

Zyrtari ka bërë të ditur se administrata e re nuk do të ketë ndonjë ndryshim në pikëpamjen e saj ndaj Huthive dhe se hapi në fjalë është ndërmarrë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të krizës humanitare në Jemen.

“Ky hap u mor për shkak të pasojave humanitare të veprimit në minutës së fundit nga administrata e mëparshme (vendosja e Huthive në listën e organizatave terroriste) e cila do të thellonte edhe më tej krizën më të rëndë humanitare në botë”.

Administrata e Trumpit, pak kohë para se të dorëzonte detyrën më 20 janar njoftoi vendosjen e Huthive në listën e organizatave terroriste ndërsa vendimi në fjalë shkaktoi reagime me shqetësimin se do të thellonte edhe më shumë krizën humanitare në Jemen.

Në një deklaratë të bërë më parë, Biden njoftoi se SHBA-ja ka ndërprerë ndihmën ushtarake që siguron për Arabinë Saudite në Jemen.