Shtëpia e Bardhë shpalli zyrtarisht planet për blerjen e 500 milionë dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit dhe dhurimin e tyre te programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti amerikan, Joe Biden, do ta shpallë këtë zotim përpara samit të grupit të vendeve më të industrializuara, G7, i cili i hap punimet të premten në Kornuoll të Anglisë.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi këtë plan si “një veprim historik, që do të ndihmojë luftën globale kundër pandemisë”.

Biden ka qenë nën presion për të trajtuar mungesën globale të vaksinave kundër koronavirusit dhe pabarazitë në vaksinim midis vendeve të pasura dhe të varfra.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të blejnë 200 milionë doza – të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz – që do të shpërndahen këtë vit, nisur nga muaji gusht.

Kontingjenti tjetër prej 300 milionë dozash do të shpërndahet në gjysmën e parë të vitit 2022.

Të 500 milionë vaksinat do të jenë Pfizer/BioNTech dhe do të prodhohen në objektet e Pfizer-it në Shtetet e Bashkuara.