Me kërkesë të prokurorëve nga Departamenti Special për Krime të Luftës, zyrtarët policorë të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), së bashku me Policinë Kufitare të Bosnjë e Hercegovinës, kanë arrestuar Millan Trishiç, të dyshuarin për krime kundër njerëzimit në rajonin Bratunac në vitin 1992, raporton Anadolu Agency (AA).
I dyshuari është nën hetim nga Departamenti Special për Krime të Luftës dhe dyshohet se si anëtar i Ushtrisë së Republika Srpska (VRS) në vitin 1992 ka kryer krime kundër njerëzimit ndaj viktimave boshnjake, që kanë të bëjnë me përndjekje, vrasje, zhdukje të detyruar, burgim të paligjshëm, torturim, abuzim, si dhe transferim me forcë të më shumë viktimave.
Gjatë hetimit, u mësua se i dyshuari jeton në SHBA dhe në bashkëpunim me institucionet amerikane Trishiç u deportua.
Pas arrestimit në aeroportin e Sarajevës, i dyshuari do t’i dorëzohet prokurorit në detyrë, i cili do të marrë në pyetje të dyshuarin dhe më pas do të vendosë për veprimet e mëtejme në lidhje me rastin.
I dyshuari është nën hetim për veprën penale “Krim kundër njerëzimit” sipas nenit 172 të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës.
Nga prokuroria thonë se po ndërmarrin aktivitete intensive për të identifikuar, gjetur dhe ndjekur penalisht të dyshuarit për krime lufte që gjenden jashtë vendit.