Përderisa shumica e sektorëve në ekonomi po kalojnë humbje dhe po luftojnë për të mbijetuar shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusi, Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të tregtisë elektronike.
Analiza e Shoqatës për Tregti Elektronike tregon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut në tre muajt e parë të këtij viti në tregtinë elektronike kanë shpenzuar gjithsej 28,9 milionë euro dhe vetëm në muajin mars 10,1 milionë euro.
Kjo paraqet një rritje prej 17,9 milionë eurosh (61,5 për qind) në krahasim me periudhën e tre muajve të parë të vitit 2019. Të dhënat tregojnë se tregtia elektronike në mars të këtij viti u rrit me 99 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar.
Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar zakonet e blerësve vendas, të cilat pjesën më të madhe të blerjeve të tyre në internet e kanë zhvendosur në tregtinë elektronike vendase në vend të asaj të huaj. Implikimet për këtë natyrisht janë mbyllja e kufijve dhe kompleksiteti që është shfaur me vonesa në shpërndarjen e produkteve të blera nga jashtë, si dhe frika e porositjes së produkteve me origjinë kryesisht nga vendet që ishin të infektuara me virusin COVID-19.
Sipas analizës, 59,4 për qind e transaksioneve me kartat e pagesave u realizuan në tregtinë online në vend, ndërsa 40,6 për qind e transaksioneve u realizuan në tregtinë online jashtë vendit.