Numri i rasteve me koronavirus është duke u rritur sërish në gjithë Evropën, duke i dhënë fund trendit gjashtëjavor të rënies, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë..
Evropa ka regjistruar 1 milion të infektuar javën e kaluar, 9 për qind më shumë sesa java paraprake.
Rritja e numrit të rasteve është nxitur nga përhapja e varianteve të reja dhe “hapja e shoqërive në mënyrë jo të duhur dhe të pakontrolluar”, ka thënë Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH.
I ashtuquajturi variant britanik i koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe, është përhapur tanimë në 27 vendet evropiane.
Kjo agjenci për shëndetin e Kombeve të Bashkuara ka thënë se varianti britanik është dominant në të paktën dhjetë shtete: Britani, Danimarkë, Itali, Irlandë, Gjermani, Francë, Holandë, Izrael, Spanjë dhe Portugali.
Aktualisht situata është serioze në Republikën Çeke, e cila këtë javë ka regjistruar rekord të gati 8,500 personave të shtrirë të spitale, të prekur nga COVID-19.
Rritja e fundit raportohet teksa disa shtete evropiane janë duke garuar për të vaksinuar popullatat e tyre, ndonëse me ritëm më të ngadalshëm për dallim nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Mijëra persona kanë protestuar më 6 mars në Austri, Zvicër, Suedi dhe Irlandë, meqë muaj të tërë të izolimit kanë rritur dëmet ekonomike dhe tensionet shoqërore.
Në Shtetet e Bashkuara, Senati ka miratuar paketën e ndihmës në vlerë të 1.9 trilionë dollarëve amerikanë, pavarësisht kundërshtimeve të republikanëve, të cilët kanë votuar kundër.
Paketa e ndihmës ofron pagesa direkte prej 1,400 dollarëve për shumicën e amerikanëve, shtyn përfitimet urgjente për të papunët dhe shpenzimet për vaksina dhe testimet për COVID-19.