Rreth 150 milionë euro më pak këtë vit kanë mbledhur për arkën e shtetit dy institucionet financiare në vend.

Ndërsa, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se për të hyrat e vitit 2021 kanë me qenë shqetësuese për organizatat buxhetore, teksa ka shtuar se për vitin 2020 do të ketë një rënie ekonomike deri minus 6.4 për qind.

Në anën tjetër njohës të ekonomisë thonë se institucionet e shtetit janë përgjegjëse për plotësimin e hendekut buxhetor.

Pandemia COVID-19, ka ndikuar që vetëm në Doganën e Kosovës të hyrat të shënojnë rënie mbi 100 milionë euro, ndërsa në ATK mbi 30 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se 12 për qind kanë shënuar rënie të hyrat në periudhën janar-gusht.

“Si rezultat i pandemisë dhe rënies së konsumit ne kemi parë që në periudhën janar-gusht 2020 me periudhën e njëjtë 2019 dallimi është mbi 100 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe që po flasim, kemi pasur të grumbulluara 760 milionë euro, ndërsa në periudhën janar-gusht 2020 kemi 653 milionë, që nënkupton se janë më pak se 107 milionë euro – shprehur në përqindje janë rreth 12 për qind më pak”, pohon Stavileci.

Për gjendjen e rëndë të të hyrave, ministrja Bajrami po thotë se në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), të hyrat për vitin 2021 do të jenë në nivelin e të hyrave me vitin 2019 për shkak të pandemisë.

“Duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë, sipas vlerësimeve të Departamentit të Makros pranë Ministrisë së Financave, vlerësimet në fund sygjerojnë për një rënie me të ndjeshme të aktivitetit ekonomik ku rritja reale e Bruto Produktit për vitin 2020 pritet të shkojë deri në minus 6.4 për qind… Në vitin 2021 ajo që i shqetëson më shumë të gjithë udhëheqësit e organizatave buxhetore është gjendja sipas të hyrave. Ndërkohë që shpenzimet për buxhetin në vitin 2021 parashihet të jenë rreth 2.44 miliardë euro”, theksoi Bajrami.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i gjejë mundësitë për mbulimin e hendekut buxhetor.