Rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë para fundit të qershorit, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel.

Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç tha ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk do të jetë e lehtë, por për përfitimin e njerëzve në Kosovë dhe Serbi dhe në rajon duhet që ky proces të vazhdojë shumë shpejt”, tha Borrell.

Kurti po qëndron në Bruksel në një vizitë dyditore, ku po zhvillon takime me drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së.

Më parë, Kurti u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se NATO mbështet përpjekjet për të rifilluar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Një deklaratë e NATO-s tha se Stoltenberg theksoi se dialogu mbetet “mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë ditës, në Bashkimin Evropian, Kurti do të do të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Raundi i fundit i Kosovës dhe Serbisë brenda dialogut në nivelin më të lartë u mbajt më 7 shtator, 2020, kur u takuan presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në atë takim, pala serbe ngriti çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas kësaj, Kosova nuk ishte më e gatshme të kthehej në tryezën e negociatave për të vazhduar diskutimin mbi këtë temë.