Derisa Indonezia përgatitet të nisë vaksinimin masiv kundër virusit COVID-19, plani i saj është që t’iu jap prioritet të rriturve me moshë pune, para të moshuarve.
Disa vende, të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që kanë nisur tashmë vaksinimin, u kanë dhënë prioritet njerëzve të moshuar, që janë më të cenueshëm ndaj sëmundjes.
Indonezia, e cila planifikon të nisë imunizimin me vaksinën e zhvilluar nga firma kineze Sinovac Biotech, thotë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për efikasitetin e vaksinës te njerëzit e moshuar, pasi provat klinike që po zhvillohen në vend, përfshijnë njerëz të moshës 18-59 vjeç.
“Ne nuk po i kundërvihemi trendit”, ka thënë Nadia Tarmizi, zyrtare e lartë e Ministrisë së Shëndetësisë.
Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur imunizimin me vaksinën e zhvilluar nga kompania amerikane, Pfizer, dhe ajo gjermane, BioNTech, e cila ka treguar se funksionon mirë në njerëz të të gjitha moshave. Indonezia ka qasje fillestare vetëm në vaksinën Sinovac.
Vendi i Azisë Juglindore ka marrëveshje për sigurimin e 125.5 milionë dozave të kësaj vaksine. Tre milionë doza tashmë kanë arritur atje.
Dërgesat e vaksinës Pfizer/BioNTech pritet të arrijnë në Indonezi nga tremujori i tretë i vitit, ndërsa vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca do të nisë të shpërndahet në çerekun e dytë.
Profesori Dale Fisher, nga Shkolla e Mjekësisë Yong Loo Lin në Universitetin Kombëtar të Singaporit, thotë se e kupton qasjen e Indonezisë.
“Të rriturit që punojnë, janë përgjithësisht më aktivë, janë më socialë dhe udhëtojnë më shumë. Andaj, kjo strategji duhet ta ulë transmetimin e sëmundjes në komunitet më shpejt se vaksinimi i individëve të moshuar“, thotë Fisher.
“Sigurisht që njerëzit e moshuar janë më të rrezikuar nga sëmundje të rënda dhe vdekja, kështu që vaksinimi i tyre ka një arsyetim alternativ. Unë shoh merita te të dyja strategjitë”, thotë ai.