Pronari i vajit Floil: Pas taksës ka rritje prodhimi e punësimi

Që nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, kompania vendore “Fluidi” ka rritur prodhimin e vajit ushqimor ‘Floil’, teksa ka shtuar edhe numrin e të punësuarve.

Kështu është bërë e ditur nga vizita që kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka bërë kompanisë së pijeve dhe vajit ‘Floil’ në Gjilan.

Pronari i kësaj kompanie, Fejzullah Mustafa, ka thënë se taksa e vendosur ka ndikuar që prodhimin e vajit ta rrisin mbi 100 për qind. Madje ai ka thënë se është dashur që më herët të vendoset një taksë e tillë për prodhimet që vijnë nga shteti serb.

“Taksa si taksë ka ndikuar dhe e ka bërë një efekt të vetin, që mendoj se është dashur edhe më herët të implementohet. Për këtë kohë të taksës së implementuar kemi një rritje të prodhimit, sidomos tek vaji ‘Floil’ kemi rritje më tepër qind për qind, ndoshta mbi 100 për qind kemi një ngritje. Kështu që, mendoj se kjo taksë ka ndikuar pozitivisht tek konsumatori, tek populli i Kosovës se ka kuptuar dhe janë vetëdijesuar se duhet të konsumohen produktet vendore. Nëse konsumohen produktet vendore çka dhe kush fiton, do të fitojë shteti i Kosovës, do të zhvillohet ekonomia e Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të konsumojnë produktet e kësaj kompanie, duke thënë se përveç që janë të mira janë edhe të vendit.

“Kjo është një kompani e cila e ka fituar besimin e konsumatorit në plot produkte, pra janë lëngjet, pijet joalkoolike e të njohura pra pijet e ‘Fluidit’. Mirëpo, ajo që është diçka vërtet premtuese është vaji ushqimor ‘Floil’, i cili e ka marrë besimin e konsumatorëve të Kosovës pra po i besojnë qytetarët, i kanë besuar kësaj cilësie dhe fatmirësisht ka rritje në prodhim, rritje në punësim që është një lajm i mirë. Dëshiroj t’iu them qytetarëve të Kosovës se kemi të bëjmë me teknologjinë më të avancuar, pra është teknologjia më e avancuar që ekziston sot në botë, kemi të bëjmë me standarde, pra me kushte qysh prodhohet më të avancuarat. Por, kemi edhe të bëjmë me njerëz të kësaj toke që e donë njeriun e këtij vendi, që e donë konsumatorin dhe që janë të kujdesshëm. Për këtë arsye ‘Floil’ është mendoj vaji më i mirë që e kemi në tregun tonë në Kosovë dhe shpresoj që qytetarët tanë ta konsumojnë këtë vaj  se është i mirë, është në çmim të arsyeshëm dhe që është i vendit”, u shpreh Haradinaj.

Kreu i Qeverisë së Kosovës gjatë ditës ka vizituar edhe kompaninë “Frutomania”, fabrikën e prodhimit të mishit të pulave dhe vezëve “Konsoni”, si dhe do të vizitojë edhe fabrikën e përpunimit të mishit “Kalabria”.