Rifillimi i imunizimeve në shumë vende evropiane me vaksinën e AstraZeneca-s, nuk ka arritur të fashisë tërësisht shqetësimet lidhur me sigurinë e saj. Por ekspertët i druhen më shumë shqetësimeve që po krijon mungesa e vaksinës. Britania po përballet me probleme për të marrë sasi të konsiderueshme vaksinash nga një prej prodhuesve më të mëdhenj të tyre që ndodhet në Indi, çka mund të çojë në një ulje të ndjeshme të numrit të vaksinimeve.
Java e kaluar ishte veçanërisht e zënë me imunizime me vaksinën e AstraZeneca-s, pothuajse 1700 pacientë çdo ditë. Por Britania po përballet me një mungesë në furnizimin me vaksina të AstraZeneca-s, çka mund të vonojnë fillimin e imunizimit për personat nën 50 vjeç. Dërgesat e pritshme nga dy kompani furnizimi u reduktuan, për shkak të çështjeve të prodhimit dhe testimit.
Personeli mjeksor i kësaj qendre shëndetësore shqetësohet si nga hezitimi evropian lidhur me sigurinë ndaj vaksinës ashtu edhe nga mungesa e saj.
Eksperti Gino Martini shqetësohet se hezitimi lidhur me vaksinës dhe mungesa e tyre do të dëmtojnë besimin e pacientëve në Britani. Ai thotë se përfitimet nga vaksinimi janë më të mëdha se rreziku.
Kryeministri britanik Boris Johnson thotë se është i kënaqur me vendimin e agjencisë rregullatore të barnave.
“Qendra ku unë po vaksinohem po përdor aktualisht vaksinën e Oksford-AstraZenecas, dozën e parë dhe atë po marr edhe unë”.
Qeveria pati thënë se Instituti Serum i Indisë, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, do të furnizonte Britaninë me 10 milionë doza të vaksinës AstraZeneca këtë muaj. Por vetë instituti tha të enjten se nuk kishte “afate kohore të përcaktuara” për shpërndarjen e vaksinës.
Ndërkohë Belgjika po i druhet një valë tjetër infeksionesh me koronavirus në një kohë kur infeksionet e reja ditore me COVID-19 u rritën me gati 30 për qind gjatë një jave.
Dhjetëra të moshuar morën dozën e parë të vaksinës së AstraZeneca-s të enjten në Bruksel.