Frika, turpi dhe diskriminimi, janë me çka po përballen personat e prekur me Covid 19.
Gazetare: Albulena Demaku
Mos pranimi i tyre nga shoqëria edhe pas tejkalimit të infeksionit, po ua vështirëson më shumë gjendjen emocionale.
Me një situatë të tillë është përballur edhe Nazim Kelmendi, i cili është pacienti i parë kosovar që është shëruar nga Covid-19, raporton emisioni #gjesi në T7.
Sipas tij, pavarësisht mundësive të shumta të informimit, për njerëzit është e vështirë ta kuptojnë që pas shërimit, personat e prekur nuk paraqesin rrezik për shoqërinë.
E frika e refuzimit është e pranishme edhe te Petrit Bylykbashi, i cili po ashtu ka qenë i prekur me këtë virus.
Ai shpreson që pas kësaj pandemie vetëdija e njerëzve do të jetë e lartë karshi personave të cilët kanë kaluar këtë sfidë.
Në anën tjetër, këngëtari Muhamet Sejdiu thotë se nuk është ndjerë i refuzuar nga bashkëvendasit e tij.
Krahas vendeve në të cilat është përhapur virusi, statistikat kanë treguar se fshatrat kanë qenë më të prekura.
Por sipas Ruzhdi Fazliut, banorë i fshatit Dumnicë e Podujevës, banorët e këtij fshati, nuk janë treguar paragjykues ndaj personave të prekur atje.
E një qasje të tillë, infektologu Krasniqi bën thirrje ta kenë të gjithë qytetarët ndaj të prekurve me këtë virus, pasi personat të cilët e kanë tejkaluar atë, nuk konsiderohen përhapës të tij.
Pavarësisht kësaj, Krasniqi tregon rastet kur edhe fëmijët e punonjësve shëndetësor kanë që të refuzuar nga shoqëria.
Ndërkohë, edhe sipas një deklaratë të Organizatës Botërore të Shëndetit, personat e prekur me Covid-19, janë në rrezik të madh për tu përballur me diskriminim dhe stigmatizim.
Andaj, përkrahja e personave të prekur me Koronavirus, u ndihmon atyre në tejkalim më të lehtë si dhe kontribuon në stabilitetin e tyre emocional.