Pas më shumë se tre muajsh vaksinimesh në SHBA, shumë prej statistikave paraqesin një pamje gjithnjë e më inkurajuese. 70% e amerikanëve mbi 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe mesatarja e vdekjeve nga COVID-19 ka rënë për herë të parë që nga muaji nëntor në nivelin nën 1000 në ditë.
Gjithashtu, dhjetëra shtete kanë nisur vaksinimin për të gjithë të rriturit. Shtëpia e Bardhë tha se 27 milionë doza vaksinave të llojit me një injeksion dhe ato me dy injeksione që do të shpërndahen javën e ardhshme, më shumë se trefishi i numrit që nga momenti kur Presidenti Joe Biden mori detyrën dy muaj më parë.
“Gjendemi në prag. Nëse ne do ta marrim kthesën apo jo, mbetet për t’u parë”, tha Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i qeverisë për sëmundjet infektive.
Në të njëjtën kohë, ekspertët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë në çdo rast se relaksimi i masave të distancimit fizik dhe masave të tjera mund të shkaktojnë lehtësisht një rritje të re të rasteve.
Më shumë se 43% e amerikanëve 65 vjeç e lart – grupmosha më e prekshme, që përbën një pjesë të madhe të më shumë se 540’000 vdekjeve nga koronavirusi në vend – janë vaksinuar plotësisht, sipas CDC-së.
Vdekjet në ditë në Shtetet e Bashkuara nga COVID-19 kanë rënë në një mesatare prej 940, pra më poshtë se rekordi prej 3400 në mesin e muajit janar.
Dr. Fauci tha se numri i rasteve të reja qëndron me kokëfortësi i lartë dhe në mënyrë shqetësuese pranë niveleve të vërejtura gjatë valës së COVID-19ës verën e kaluar.
Presidenti Biden ka kërkuar që shtetet t’i hapin vaksinimet për të gjithë të rriturit deri më 1 maj. Të paktën gjashtë shtete, ndër ta Teksasi, Arizona dhe Xhorxhia, po i bëjnë vaksinat të disponueshme për të gjithë personat mbi 16 vjeç. Të paktën 20 shtete të tjerë janë zotuar të veprojnë kështu në javët e ardhshme.
80’000 punonjës bashkiakë të qytetit të Nju Jorkut, të cilët kanë punuar në distancë gjatë pandemisë, do të kthehen në zyrat e tyre duke filluar nga 3 maji.
Numri i udhëtarëve të përditshëm në aeroportet amerikane ka kaluar vazhdimisht mbi 1 milion gjatë pushimit pranveror prej një jave e gjysmë në shumë kolegje.