Më 29 korrik të vitit 2001, pak përpara mesditës në malin e Korabit është vrarë heroi Tahir Sinani, sëbashku me bashkëluftëtarët e tij, Naser Ademi, Hyrë Emini, Brahim Ademi dhe Hisa Fazliu, informon foldrejt.com. Tahir Sinani i lindur në Tropojë të Shqipërisë, u bë i famshëm gjatë Luftës së Kosovës, ku përveç mësimeve teorike për ushtarët e rinj, ai më pas do ishte edhe luftëtar me vepër.

Vepra e parë heroike e tij ishte në 8 janar të vitit 1999, ku Tahir Sinani kishte organizuar  një tjetër sulm  në pikë qëndrimin e forcave okupatore serbe në Biraqë të Therandës, ku pësuan tre policë serbë: Dragan Tomashoviqi nga Prokupla, Goran Boshkoviqi nga Brusi dhe Milosh Stevanoviqi nga Bratovci. Atë ditë u shkatërrua edhe një pizgauer dhe një “NIVA” përplot paramilitarë.  Ka qenë i suksesshëm edhe në minimin e terrenit në Zborc të Shtimes, ku në minimin e terrenit nga Tahir Sinani dhe një grup luftëtarësh të UÇK-së, policët e ushtarët serbë  kanë pësuar humbje të rënda. Provat e vështira si instruktor i stërvitjes së trupave dhe i kuadrove, si komandant i njësitit special, si komandant i Brigadës, ishin të mjaftueshme për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta emëruar Tahir Sinanin, Komandant të Zonës Operative të Pashtrikut.

Më pas ai luftoi edhe në Preshevë, kurse betejën e fundit do e organizonte pranë maleve të Dibrës në Korab, duke krijuar brigadën e famshme 116 që operonte nga Radomira në Shqipëri deri te malësia e Rekës së Epërme.

Ai u vra sëbashku me shokët e tij pak ditë përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, kurse shumë bashkëluftëtarë të tij ngrejnë dyshime mbi mënyrën e vdekjes.

Vendi ku u vra Tahir Sinani me shokë me eksploziv – Mali i Korabit

Sot (e mërkurë) dhjetëra ushtarë të UÇK dhe dashamirë të bjeshkëve vizituan vendin ku u vra Tahir Sinani pranë Majës së Kukulit të Korabit. Ata shpresojnë që vitin e ardhshëm të ketë organizim më të madh për jubileun e njëzetë të vdekjes së tij, duke u nisur disa grupe nga Radomira dhe disa të tjerë nga Reka e Epërme.

Ushtarët e tij potencuan se amaneti i Sinanit duhet të çohet në vend, kurse simbolika e vdekjes së tij në majën më të lartë të shqiptarisë është sinonim i vlerave më të larta që dispononte Tahiri./Foldrejt.com

Pavarësisht rrugës së gjatë, shumë persona morën pjesë për të përkujtuar Sinanin!