Që prej shpërthimit të pandemisë Covid-19, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka vendosur për herë të parë një maskë, duke lënë kështu mënjanë “rebelizmin” e tij.
Trump u pa me maskën gjatë një vizite në spitalin ushtarak Walter Reed jashtë Uashingtonit, ku u takua me ushtarë të plagosur dhe punonjës të kujdesit shëndetësor.
“Asnjëherë nuk kam qenë kundër maskave, por besoj se përdorimi i tyre ka një kohë dhe vend (të caktuar)” , tha Trump.
Deri në këtë moment, Trump nuk është parë asnjëherë të vendosë maskë në takime dhe vizita të tjera, madje ai shpesh ka ironizuar rivalin demokrat, Joe Biden për vënien e maskës.
“Unë mendoj se kur je në spital, veçanërisht në një ambient të veçantë ku disa ushtarë dhe njerëz sapo kishin dalë nga salla e operacionit, është e shkëlqyer vënia e maskës”, deklaroi presidenti të shtunën.