Koronavirusi përveç vdekjeve e dëmeve ekonomike do të sjellë edhe disa problem shumë më afatgjatë.

Bëhet fjalë për probleme si “prodhimin e disa gjeneratave pa edukim bazik shkollor, domethënë analfabetë”.

Kështu mendon deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, i cili me profesion është neurokirurk

“Përveç humbjeve të mëdha të jetëve të çmuara të bashkëqytetarëve tanë, Covid-i do na sjellë dëme afatgjate që do i vuajmë si shoqëri me vite: shkatërrimi ekonomik i mirëqenies familjare; prodhimi i disa gjeneratave pa edukim bazik shkollor d.m.th analfabetë”, shkruan Avdyli.

E si pasojë e kësaj, pohon ai, do të ndodhë edhe “rritja e krimit, vjedhjeve e veprave delikuente”.

“Trazira e jo-stabilitet politik që do vijnë nga përçarjet politike, por edhe nga gjendja e rëndë ekonomike. Gjendje e rënduar psikologjike e popullatës me rritje të dhunës në familje e shoqëri e shtim të vetëvrasjeve. Migrimi i shtuar i pjesës më vitale të shoqërisë”, janë disa pika të tjera që deputeti ka numëruar, e që sipas tij do të ndodhin për shkak të kësaj situate aktuale me COVID-19.