Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një letre drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles, e ka njoftuar atë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për një vit.
Në letrën drejtuar Borell, Presidentja Osmani ka njoftuar se EULEX-i do të jetë me mandat teknik, pa fuqi ekzekutive dhe i bazuar vetëm në monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie, bazuar në letërkëmbimin e vitit 2018 dhe kërkesave të paraqitura nga Presidentja Osmani në letrën e dërguar më 14 qershor. I njëjti mandat mund të vazhdohet edhe për një vit tjetër, në rast të vlerësimit pozitiv të punës së këtij misioni nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, presidentja Osmani ka ftuar EULEX-in për mbështetje teknike e këshillëdhënëse në çështjet që derivojnë nga Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Ky mandat i EULEX-it është mandat teknik, i bazuar ekskluzivisht vetëm në rol këshillëdhënës, mentorues dhe monitorues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.