Osmani: Franca me rol kyç në procesin e dialogut dhe liberalizimit

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Paris me ftesë të Ministrisë së Jashtme franceze, ka zhvilluar takime me anëtarë të Asamblesë Nacionale dhe Senatit të Francës, zyrtarë qeveritarë dhe anëtarë të shoqërisë civile në Francë. Temë kryesore e takimeve ka qenë procesi i integrimeve euroatlantike, bashkëpunimi ndër parlamentar përmes diplomacisë parlamentare si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Në takimin e zhvilluar në Asamblenë Nacionale të Francës me Nënkryetaren e Asmblesë znj. Carole Bireau-Bonnard dhe anëtarë nga Komisioni për Punë të Jashtme, Komisioni për Mbrojtje, Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni për Zhvillim të qëndrueshëm, Joachim Son-Forget, Pierre Vatin dhe Frèdèric Petit, u diskutua për rolin e Francës në këto 20 vite të ndërtimit të paqes e shtetësisë në Kosovës, pritjet nga Samiti i Parisit rreth dialogut Kosovë-Serbi, procesi i liberalizimit të vizave, mënyrat se si të thellohet bashkëpunimin ekonomik, kulturor, i sigurisë dhe ai ndërmjet komunave e shumë tema të tjera.

Deputetja Vjosa Osmani falënderoi bashkëbiseduesit për rolin e Francës për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë dhe mbështetjen konkrete dhe të gjithanshme që i ka ofruar vazhdimisht Kosovës në fushën e reformave, si dhe shprehu gatishmërinë për të intensifikuar nivelin e kontakteve politike mes përfaqësuesve të Asamblesë dhe Senatit të Francës me Kuvendin e Kosovës.

Osmani ka zhvilluar takime të ndara edhe në Senatin francez me Senatoren Marta De Cidrac (e cila e udhëheqë edhe grupin e miqësisë për Ballkanin Perëndimor), Senatorin Christian Cambon, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Delegacionit të Senatit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Senatorin Jean Bizet etj. Përpos temave të lartë përmendura, deputetja Osmani para senatorëve francez elaboroi rreth rrezikut të ndryshimit të kufijve si plan ruso-serb i cili ka për qëllim destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe të Ballkanit Perëndimor por dhe rajoneve tjera përtej Ballkanit.

Ajo njoftoi senatorët francez se idetë e tilla nuk gjejnë mbështetje te qytetarët e Kosovës dhe te spektri i gjerë politik në Kosovë dhe si të tilla janë plane të rrezikshme për sigurinë rajonale dhe evropiane dhe mbi të gjitha mbesin plane të pazbatueshme në Kosovë.

Prandaj edhe nuk duhet të humbet kohë, por fokusi të bartet tek dialogu ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë që do të kulminonte me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktual të Kosovës dhe hapje të rrugës së integrimeve në BE për dy shtetet.

Nga ana e tjetër, senatorët dhe anëtarët e Asamblesë Nacionale të Francës shprehën të njëjtin mendim sa i takon bashkëpunimit intensiv që ekziston mes dy vendeve tona dhe nevojës për reforma të brendshme në Kosovë si dhe arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë që i kontribuon paqes e stabilitetit në rajon.

Deputetja Osmani është takuar edhe me drejtorin për Ballkan Perëndimor në MPJ-në franceze, Thomas Bertin, ku u diskutuan gjerësisht temat e lartpërmendura, si dhe me zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.