Koncepti i kulturës politike ofron një bazë të dobishme për të shqyrtuar lidhjet midis faktorëve sociale dhe ekonomike nga njëra anë, dhe performancës politike nga ana tjetër. Nëpërmjet procesit të socializimit i cili mbështet dhe formon kulturën politike të secilës gjeneratë ne mund të vë­zhgojmë ndikimin jo vetëm të dimensioneve eksplicite politike, por edhe të gjitha dimensioneve jo-politike të jetës në kushtëzimin dhe përcaktimin e sjelljes politike, siç mund të jetë edhe zhvillimi ekonomik.

Duke përdorur teknika statistikore agregate, studiuesit Lipset dhe Cutright (Kavanagh, 1972: 42) kanë argumentuar se “për një demokraci të qëndrueshme ekzistojnë kushte sociale dhe në veçanti një nivel i lartë i zhvillimit ekonomik. Ata zbuluan se shtetet ku treguesit e tij të indu­strializmit, komunikimit, urbanizimit, arsimit, etj. ishin të lartë, gjithashtu kishin shumë gjasa të ishin demokraci të qëndrueshme. Në një ushtrim mjaft të ngjashëm, u përpoqën të përcaktojnë shkallën e korrelacionit midis zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit politik. Në bazë të hulumtimeve, ata ishin në gjendje të shpjegonin demokratizimin dhe demokracinë e qëndrueshme në kushte të tilla strukturore. Kurse në anën tjetër, shtetet në të cilat treguesit ekonomik dhe social ishin të ulët kishin demokraci të paqëndrueshme”.

Tiparet kulturore të një kombi kanë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe institucional. Inglehart duke përdorur të dhënat e inte­rvistës, korrelacionin statistikor dhe analizën e regresionit gjeti se kultura politike ishte një lidhje thelbësore në shpjegimin e marrëdhënieve midis zhvi­llimit ekonomik dhe demokracisë. Sipas tij “ndërsa demokracia moderne është pothuajse e pamundur pa zhvillimin ekonomik, zhvillimi ekonomik në vetvete nuk prodhon demokraci. Kultura nuk është vetëm pasojë e ekonomisë, por mund të formësojë natyrën themelore të jetës ekonomike dhe politike”. (Wiarda, 2014:111).

Lidhur me këtë, Burkhart dhe Lewis – Beck (1994) analizuan drejtimin e marrëdhënies kauzale midis zhvillimit ekonomik dhe demokracisë, duke përdorur të dhëna empirike nga 131 vende. Në bazë të testeve, ato përfundojnë se “zhvillimi ekonomik shkakton demokracinë, por që demo­kracia nuk shkakton zhvillim ekonomik. Mjafton të kujtojmë ngjarjet e ‘97 në Shqipëri dhe do bindemi se jo çdoherë demokracia shkakton zhvillim ekonomik, përkundrazi, nëse nuk janë pjekur kushtet për demokratizim, ajo mund të kthehen në bumerang trazirash, jo më kot shumë studiues të shkencave politike, kur debatojnë për vende në tranzicion nuk u referohen atyre si demokraci por preferojnë termin ‘regjim’, edhe pse ndoshta nuk është term aq i qëlluar”.

Më në fund, suksesi ekonomik duket se ndihmon institucionet legjitime demokratike. Madhësia e plotë e këtij efekti varet nga vendndodhja e kombit në sistemin botëror. Përderisa kombi lëviz nga bërthama, në gjysmë periferi, drejt periferisë, efekti zvogëlohet. Megjithatë edhe në periferi, efekti mbetet statistikisht dhe thellësisht i rëndësishëm. Kështu, në të gjithë botën, zhvillimi ekonomik është një nxitje për demokracinë. Në anën tjetër, sa u takon shteteve që janë në tranzicion demokratik, siç është edhe Maqedonia e Veriut, reformat demokratike në vetvete nuk i bëjnë dëm eko­no­misë por njëkohësisht nuk mund të llogariten se në vetvete sjellin domosdoshmërisht zhvillimin ekonomik. Për këtë me siguri se duhet që të ketë reforma të tjera të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme dhe të përshtatura edhe me mentalitetin vendas.