OKB: Familjarët e ish-luftëtarëve të IS-it duhet të riatdhesohen

Mijëra të afërm të ish-luftëtarëve të grupit militant Shteti Islamik (IS) duhet të riatdhesohen, tha shefja për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, për të shtuar se fëmijët në veçanti kanë përjetuar “shkelje të rënda” të të drejtave të tyre.

“Familjarët duhet të riatdhesohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, nëse nuk ndiqen penalisht për krime”, tha Bachelet në fjalimin e saj në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në Gjenevë, transmeton REL.

Sipas saj, mbi 55,000 luftëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik dhe familjarë të tyre janë burgosur në Irak dhe Siri.

Bachelet tha se shtetet nuk duhet t’ua heqin shtetësinë atyre që kanë shkuar për të luftuar për Shtetin Islamik në këto dy vende.

“Lënia e njerëzve pa shtetësi nuk është kurrë opsion i pranueshëm”, tha ajo, duke shtuar se disa vende kanë bërë përpjekje për të riatdhesuar disa shtetas të tyre.

Shumë vende evropiane kanë hezituar t’i marrin përsëri shtetasit e tyre.

Në muajin prill, Kosova ka kthyer mbi 100 kosovarë nga Siria – shumica prej tyre gra dhe fëmijë.