Rreth 250 milionë euro duhan, kosovarët i tymosin në vit. E, me të filluar temperaturat e ulëta duhanpirësit po e shkelin me të madhe Ligjin për Kontrollin e Duhanit. Ky ligj nuk po gjen zbatueshmëri edhe nga vetë krerët e institucioneve. Një gjë e tillë theksohet në “Raportin për Kosovën”, ku thuhet se mungon vullneti politik dhe se ka performancë të dobët të autoriteteve zbatuese.
Drejtori i Inspektoriatit Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku për KosovaPress, thotë se ditëve të fundit ka pasur rënie të zbatueshmërisë së këtij ligji. Megjithatë inspektimet po vazhdojnë dhe ata që nuk e respektojnë Ligjin për Kontrollin e Duhanit, do të gjobiten.
Vetëm në fillim të vitit, Tërshnjaku thotë se janë shqiptuar 30 gjoba nga ana e nivelit qendror.
Mes tjerash, drejtori i Inspektoriatit Sanitar të Kosovës, thotë se ky ligj po shihet me injorancë nga vetë krerët e institucioneve. Sipas Tërshnjakut, shkeljet më të mëdha të këtij ligji po bëhen gjatë sezonit dimëror.
Se ky ligj nuk po gjen zbatueshmëri po theksohet edhe në “Raportin për Kosovën” nga Komisioni Evropian.
“Ligji gjithëpërfshirës për kontrollin e duhanit ende nuk zbatohet për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe performancës së dobët të autoriteteve zbatuese”, thuhet në raportin e vitit 2019.
E zyrtari për media në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci tregon për KosovaPress, se sa tonë duhan importohen gjatë vitit.
Milazim Sfishta, i cila ka ardhur nga Gjermania për pushime në Kosovë, thotë se pothuajse në të gjitha lokalet në kryeqytet po shkelet ligji për duhanin.
Ngjashëm mendon edhe Hamdi Gashi, i cili jeton në Prishtinë. Sipas tij, fajtor për këtë janë vetë institucionet.
Për këtë Basri Hoxha, po ashtu banor i Prishtinës po kërkon që të zbatohet ky ligj.
Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi dy mijë njerëz vdesin çdo vit në Kosovë nga duhani. Ligji për Kontrollin e Duhanit është miratuar në vitin 2013. Me këtë ligj përcaktohen masat për ndalimin, kufizimin e përdorimit të duhanit dhe produkteve të duhanit. Ndalohet pirja e duhanit 100 për qind në hapësira publike, hapësira të punës, në mjetet e transportit publik dhe në disa hapësira të hapura, të përcaktuara sipas këtij ligji.
Rreth 250 milionë euro duhan, kosovarët i tymosin në vit. Importi i duhanit në Kosovë arrin vlera nga 2500 deri në 2800 tonë brenda një viti.
Përndryshe, KosovaPress ka tentuar të marrë pamje në disa nga lokalet ku konsumohet duhani, por një gjë e tillë nuk është lejuar nga pronarët e lokaleve.